Rritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve ushqimore dhe higjienike, po vazhdon të vështirësojë jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.
Si pasojë e rritjeve enorme të çmimeve, qytetarët e Kosovës kanë organizuar një iniciativë për bojkotimin e rrjeteve të supermarketeve në vend, në mënyrë që këta të fundit të reflektojnë për çmimet bazë të këtyre produkteve.
Kjo iniciativë që kishte nisur në Kroaci dhe u pasua nga vendet e tjera si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bullgaria ka nxitur organizimin edhe të qytetarëve të Kosovës.
Njohësit e ekonomisë deklarojnë se kjo iniciativë do të ketë efektin e vet me kalimin e kohës.
Sipas njohësit të ekonomisë dhe tregut Lulzim Beqiri, rritja enorme e çmimeve cenon vazhdimisht kuletën e qytetarëve.
“Duke u bazuar në trendin ballkanik edhe kosovarët kanë filluar bojkotimin e marketeve për ditë të caktuara, dhe kjo sigurisht ka për të dhënë efektin e vet gradualisht, mjafton që qytetarët janë vetëdijesuar për profitin enorm të dyqaneve dhe kundërshtimin e tyre të hapur ndaj cenimit të kuletës së tyre si rezultat i çmimeve të larta”, deklaroi fillimisht ai.
Beqiri shton se iniciativa e tillë vie si pasojë e mos kujdesit të shtetit ndaj konsumatorit.
“Kjo iniciativë vjen si rezultat i mos kujdesit të shtetit ndaj konsumatorëve, ende edhe pas pandemisë çmimet po vazhdojnë të ngritën dhe pagat kanë mbetur pothuajse aty ku ishin, prandaj është jetike që konsumatori me marrë situatën në dorë dhe me i thanë një STOP profitit të pabazë të tregtarëve kosovar. Prandaj secili konsumator duhet t’i bashkëngjitet kësaj nisme fisnike!”, përfundoi Beqiri për lajmi.net.
Në anën tjetër, njohësi Arton Muhaxheri deklaron se kjo iniciativë mund të jetë efikase, por megjithatë nuk është një zgjidhje afatgjate.
“Bojkotimi i supermarketeve si reagim qytetar tregon qartë pakënaqësinë e njerëzve ndaj çmimeve të larta, por nuk është një zgjidhje afatgjatë. Edhe nëse ndikon përkohësisht në sjelljen e disa tregtarëve, problemi kryesor mbetet dështimi i qeverisë për të marrë masa konkrete ndaj inflacionit që po varfëron qytetarët çdo ditë e më shumë”, tha fillimisht Muhaxheri.
Muhaxheri potencon se inflacioni ka pasur shkallë të lartë edhe në muajin janar, teksa thotë se qeveria duhet të krijojë mekanizma për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës.
“Janari ka përfunduar me një shkallë të rritur të inflacionit, por qeveria vazhdon të heshtë, sikur kjo krizë të mos ekzistonte fare. Në vend që të ndërhyjë me politika fiskale për të zbutur barrën mbi qytetarët dhe bizneset, ajo ka zgjedhur të mos bëjë asgjë, duke i lënë qytetarët të përballen vetë me rritjen e çmimeve. Mungesa e strategjive për fuqizimin e prodhimit vendor, injorimi i rritjes artificiale të çmimeve nga marketet dhe dështimi për të siguruar një konkurrencë të ndershme në treg janë disa nga faktorët që kanë sjellë këtë situatë”, shtoi ai.
Arton Muhaxheri deklaron se iniciativa qytetare është e drejtë e tyre pasi indiferenca e institucioneve, po iu kushton shtrenjtë konsumatorëve.
“Nuk mund të presim që çmimet të bien vetvetiu ose që tregtaret të vetërregullohen – është përgjegjësi e qeverisë të krijojë mekanizma që mbrojnë fuqinë blerëse të qytetarëve. Nëse kjo qeveri vazhdon të sillet sikur nuk ka krizë ekonomike, atëherë jo vetëm që inflacioni nuk do të ndalet, por standardi i jetesës do të përkeqësohet edhe më tej. Prandaj, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë llogari, sepse indiferenca e qeverisë po i kushton shtrenjtë secilit prej tyre”, përfundoi Muhaxheri për lajmi.net.
Edhe Mustafë Kadriaj thotë se një iniciativë e tillë ishte e nevojshme.
“Vlerësoj që si iniciativë është për t’u përshendetur dhe uroj që të ketë efketin në edukimin e tregtarëve që të ofrojnë produkte me çmime të arsyeshme konform të hyrave të qytetarëve. Sesa do ketë efekt mbetet të shihet sepse është një praktikë e re si inciativë qytetare në vend. Se a ka qenë e nevojshme vlerësoj që po, sepse çdo ditë e me shumë është ngulfatur jeta e qytetarit duke rezultuar në ulje të mirëqenies dhe njëherit duke rritur gatishmerinë për t’u larguar nga vendi”, tha fillimisht ai.
Tutje, Kadriaj shton se kjo iniciativë duhet të shërbej që të vetëdijësoj bizneset vendore për të zhvilluar aktivitetin e tyre konform fuqisë blerëse të qytetarëve të Kosovës.
“Uroj që kjo inciativë të rezultojë me vetëdijësim të bizneseve që të zhvillojnë aktivitetin e tyre në raport të fuqisë blerëse”, përfundoi ai.
Kujtojmë se çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të shënojnë rritje, pas përfundimit të pandemisë COVID-19 dhe me fillimin e luftës në Ukrainë.
Rritja e çmimeve fillimisht u arsyetua me rritjen enorme të derivateve të naftës, megjithatë edhe pas lirimit të çmimeve të naftës, çmimet e produkteve ushqimore po vazhdojnë të rriten.
Madje Kosova njihet si një prej vendeve me çmimet më të larta edhe nga vendet e Evropës. Shumë produkte ushqimore e higjienike në Kosovë raportohen të jenë tre-katër herë më të shtrenjta në krahasim me vendet e tjera – gjë kjo e cila rrit shqetësimin dhe vështirësitë e të jetuarit në Kosovë./Lajmi.net/