“Hedhja benzinë zjarrit, kërcënimet dhe ushtrimi i presionit nuk do të ndihmojnë në zbutjen e situatës vetëm sa do të intensifikojë kontradiktat dhe do ta zgjerojë konfliktin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze
Kina e kritikoi thirrjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, drejtuar iranianëve për të evakuuar kryeqytetin Teheran si dhe për “hedhje benzinë zjarrit” mes konfliktit të vazhdueshëm Iran-Izrael, transmeton Anadolu.
“Hedhja benzinë zjarrit, kërcënimet dhe ushtrimi i presionit nuk do të ndihmojnë në zbutjen e situatës vetëm sa do të intensifikojë kontradiktat dhe do ta zgjerojë konfliktin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, në një konferencë për shtyp në Pekin, siç raportohet nga Global Times.
Guo tha se përshkallëzimi i ri i tensioneve në Lindjen e Mesme nuk i sjell dobi askujt, ndërsa u bëri thirrje gjithashtu “palëve përkatëse, veçanërisht vendeve me ndikim të veçantë mbi Izraelin”, duke aluduar SHBA-në, të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe të veprojnë menjëherë për të ulur tensionet.
Trump tha më herët në Truth Social se “të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani!”
“Irani duhet ta kishte nënshkruar ‘marrëveshjen’ që u thashë ta nënshkruanin. Çfarë turpi dhe humbje jete njerëzore. Thënë thjesht, Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, tha Trump.
“Prioriteti i menjëhershëm është ndërprerja e armiqësive, marrja e masave efektive për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe shmangia e një paqëndrueshmërie më të madhe në rajon. Kthimi në dialog dhe negociata për një zgjidhje politike pasqyron konsensusin e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Guo.
Komentet pasuan një deklaratë të përbashkët të hënën nga ministrat e jashtëm të 21 vendeve që dënonin sulmet ajrore të Izraelit ndaj Iranit dhe bënin thirrje për de-eskalim rajonal, çarmatim bërthamor “pa selektivitet” dhe respekt për ligjin ndërkombëtar.
Iniciativa përfshinte Turqinë, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistanin, Bahreinin, Brunein, Çadin, Gambinë, Algjerinë, Komoret, Xhibutin, Arabinë Saudite, Sudanin, Somalinë, Irakun, Omanin, Katarin, Kuvajtin, Libinë, Egjiptin dhe Mauritaninë.
Pekini “mirëpret deklaratën e përbashkët nga Egjipti dhe vendet e tjera arabe, islame dhe afrikane dhe përgëzon përpjekjet e tyre për të de-eskaluar situatën”, tha Guo për media.