Admiral Ali Shamkhani, këshilltar i udhëheqësit suprem të Republikës Islamike të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, u shfaq sot për herë të parë në publik pas plagosjes së rëndë që pësoi gjatë një sulmi izraelit në fillim të këtij muaji.
Ai mori pjesë në një ceremoni të madhe mortore në Teheran, e mbajtur në nderim të civilëve, shkencëtarëve dhe komandantëve ushtarakë iranianë të vrarë gjatë agresionit dymbëdhjetëditor izraelit.
Në një fotografi të publikuar nga agjencia iraniane Mehr, Shamkhani shihet duke ecur me ndihmën e një shkopi për shkak të plagës që ka marrë.
Turmë e madhe e pranishme
Në Teheran nisi ceremonia e varrimit për viktimat e sulmeve izraelite: Fillimisht u bartën arkivolet me trupat e fëmijëve.
Shamkhani u plagos më 13 qershor gjatë një sulmi ndaj rezidencës së tij. Raportet fillestare nga Irani, të cilat u transmetuan edhe nga shumë media botërore, pretendonin se ai kishte vdekur po atë ditë në spital. Megjithatë, dy ditë më vonë burime zyrtare iraniane e mohuan këtë informacion, duke deklaruar se ai kishte mbijetuar dhe se gjendja e tij ishte “relativisht stabile”.
Ekipi i tij mjekësor konfirmoi atëherë se kishte pasur “përmirësim të dukshëm” në trajtimin e plagëve, megjithëse për shkak të komplikimeve të brendshme të shkaktuara nga shpërthimi, nuk mund të jepej një prognozë për rikuperimin afatgjatë.
Sipas raportit të sotëm të agjencisë iraniane Tasnim, Shamkhani është përmirësuar ndjeshëm. Mediat publikuan edhe mesazhin e tij drejtuar ajatollahut Khamenei dhe popullit iranian: “Jam gjallë dhe i gatshëm të sakrifikohem.”
Mbijetoi sulmit izraelit
Këshilltari kryesor i udhëheqësit suprem të Iranit nuk është i vdekur: Ai u lajmërua nga spitali dhe dërgoi një mesazh të fuqishëm për kombin.
Shamkhani është një nga figurat më të shquara të sigurisë dhe ushtrisë në historinë moderne të Iranit. Ai ka qenë ministër i mbrojtjes nga viti 1997 deri më 2005, dhe më pas për dhjetë vite ka shërbyer si sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare. Karrierën e tij e nisi si admiral në radhët e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), ku ka vepruar që nga ditët e para të Revolucionit Islamik.
Ceremonia e sotme e varrimit në Teheran mblodhi mijëra njerëz. Ajo filloi përpara hyrjes kryesore të Universitetit të Teheranit, dhe turmat e mëdha mbushën Sheshin e Revolucionit Islamik, duke valëvitur flamuj të kuq me mbishkrimin “Labaik Ya Hussein” dhe duke shpërndarë fletushka me mesazhe kundër Izraelit dhe SHBA-së.
U varrosën shumë civilë, shkencëtarë dhe komandantë ushtarakë të vrarë gjatë sulmeve të fundit izraelite në territorin iranian.