Kancelari gjerman i kërkon Netanyahut të lejojë më shumë ndihma humanitare në Gaza

“Kancelari përsëriti se qeveria gjermane vazhdon ta shohë zgjidhjen e negociuar me dy shtete si mundësinë më të mirë për t’u mundësuar izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë së bashku në paqe”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë një telefonate, që të lejojë më shumë ndihmë humanitare në Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, në një deklaratë, transmeton Anadolu.

“Ai (Merz) shprehu shpresën e tij për një marrëveshje të shpejtë mbi lirimin e pengjeve dhe një armëpushim. Në të njëjtën kohë, ai theksoi nevojën urgjente për të lejuar menjëherë ndihmën e mjaftueshme humanitare në Rripin e Gazës dhe për të siguruar shpërndarjen e saj të sigurt për popullsinë civile”, tha Kornelius.

“Kancelari përsëriti se qeveria gjermane vazhdon ta shohë zgjidhjen e negociuar me dy shtete si mundësinë më të mirë për t’u mundësuar izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë së bashku në paqe”, shtoi ai.

Kancelari gjerman dhe ministri i tij i Jashtëm Johann Wadephul kohët e fundit e ashpërsuan tonin e tyre ndaj qeverisë izraelite, duke argumentuar se Tel Avivi nuk e ka mbajtur premtimin e tij për të siguruar furnizime për popullsinë civile palestineze përmes kanalit të ri të shpërndarjes izraelito-amerikane që filloi më 25 maj.

Javën e kaluar, Wadephul kritikoi ashpër strategjinë e Izraelit në Gaza, duke theksuar se mohimi i ushqimit dhe ilaçeve për civilët palestinezë ishte “i papranueshëm” dhe shkelte të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Duke folur në Forumin Evropian të WDR në Berlin, Wadephul shprehu shqetësimin e thellë të Gjermanisë për situatën në Gaza dhe përshkroi përpjekjet e vazhdueshme diplomatike për të bindur qeverinë izraelite të lejojë më shumë shpërndarje ndihmash për civilët palestinezë.

Gjermania ka qenë prej kohësh një mbështetëse e fortë e Izraelit, me udhëheqës politikë që vazhdimisht theksojnë përgjegjësinë historike të vendit ndaj Izraelit që rrjedh nga e kaluara e tij naziste dhe krimet e kryera kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, qeveria e koalicionit të qendrës së djathtë në Gjermani ka marrë një qëndrim më kritik ndaj Izraelit, duke iu përgjigjur ofensivës së tij të ripërtërirë ushtarake në Gaza, bllokadës së vazhdueshme të ndihmës dhe propozimeve të ministrave izraelitë për dëbimin e palestinezëve dhe aneksimin territorial.

Kategoritë
BotaLajme