Izraeli rrëzon dronët iranianë mbi Arabinë Saudite

Ushtria izraelite ka filluar të rrëzojë dronët iranianë mbi hapësirën ajrore të Arabisë Saudite, njoftoi televizioni izraelit Channel 12. Edhe Times of Israel raporton se forcat izraelite kanë filluar të ndërhyjnë kundër dronëve edhe jashtë territorit të Izraelit, duke iu referuar burimeve ushtarake.

Më herët ishte konfirmuar se Irani kishte lëshuar mbi 100 dronë drejt Izraelit si përgjigje ndaj sulmeve ajrore të natës që Izraeli kreu mbi objektiva të shumta në Iran. Dronëve u duhen disa orë për të arritur nga Irani në territorin izraelit, dhe rrëzimet kanë filluar sapo ata kanë hyrë në hapësirën ajrore të rajonit.

Çfarë ndodhi mbrëmë?
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar Izraeli kreu një sulm të gjerë ajror ndaj disa objektivave brenda Iranit, në kuadër të operacionit të quajtur “Luan i Drejtë” (Operation Upright Lion). Sipas burimeve ushtarake izraelite, u goditën objekte të lidhura me programin bërthamor iranian dhe lokacione ushtarake, përfshirë kompleksin kyç të pasurimit të uraniumit në Natanz. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) konfirmoi se Natanz ishte ndër objektivat e goditur dhe se është në kontakt me autoritetet iraniane për të monitoruar nivelet e rrezatimit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se qëllimi i operacionit ishte “neutralizimi i kërcënimit ekzistencial”, duke theksuar se Irani prej vitesh po zhvillon kapacitete bërthamore dhe po kërcënon haptazi me shkatërrimin e Izraelit.

Irani ka mbyllur hapësirën e vet ajrore, ndërsa ushtria izraelite është vendosur në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të një përgjigjeje të mundshme, përfshirë lëshimin e dronëve dhe raketave nga Irani dhe territore të kontrolluara nga grupet proiraniane.

Kategoritë
BotaLajme