OJQ IDEA ka përmbyllur me sukses fazën e parë të projektit “Balkan Youth School 2025”, një program edukativ që përfshiu mbi 45 të rinj nga Prishtina dhe Prizreni përmes shtatë javësh me ligjërata, diskutime dhe aktivitete ndërvepruese.
Aktiviteti përmbyllës u mbajt në Prishtinë dhe u kurorëzua me pjesëmarrjen e veçantë të Ambasadorit të Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, i cili bashkëbisedoi me të rinjtë mbi rëndësinë e diplomacisë, fuqizimin e rinisë dhe marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy shteteve mike – Kosovës dhe Turqisë.
Në këtë takim u theksua rëndësia e angazhimit aktiv të të rinjve në shoqëri si faktor kyç për zhvillimin demokratik dhe ndërtimin e paqes. Po ashtu, ambasadori vlerësoi punën e OJQ-së IDEA për krijimin e një platforme ku të rinjtë mund të mësojnë, debatojnë dhe ndërtojnë ura bashkëpunimi ndërkulturor.
Projekti “Balkan Youth School 2025” synon zhvillimin personal dhe qytetar të të rinjve përmes edukimit joformal dhe ekspozimit ndaj temave si: mendimi kritik, media, shëndeti mendor, organizatat ndërkombëtare dhe aktivizmi qytetar.
Faza e dytë e projektit do të përmbyllet me një vizitë studimore në Turqi, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takojnë institucione partnere, të angazhohen në aktivitete ndërkulturore dhe të zgjerojnë horizontin e tyre përmes përvojës ndërkombëtare.