Ushtria izraelite ka publikuar pamje të një racije në një burg ku mbahen të burgosur palestinezë, ndërsa operacioni është kryer nga njësia elitare “Metzada”.
Në videon e publikuar, shihet momenti kur forcat speciale izraelite hyjnë në një qeli ku ndodhen të burgosurit palestinezë, me armë të gjata të drejtuara drejt tyre.
Pas hyrjes, të burgosurit janë urdhëruar të shtrihen me fytyrën nga dyshemeja, ndërsa njërin prej tyre forcat e “Metzada”-s e kanë lidhur me pranga dhe i kanë vënë përdredhës në sy. Më pas, në video shihet se të paktën dy të burgosur po nxirren jashtë qelisë.
Si arsye për ndërhyrjen, autoritetet izraelite pretendojnë se të burgosurit palestinezë kishin festuar sulmet iraniane ndaj Izraelit – megjithatë, nuk është ofruar asnjë provë që vërteton këtë pretendim.
Sipas deklaratës së autoriteteve izraelite, pas nxjerrjes nga qelia, të burgosurit janë dërguar para komisionit disiplinor dhe janë “ndëshkuar në mënyrë të përshtatshme”, megjithatë nuk është sqaruar lloji i dënimit.
Operacioni është ndërmarrë si pjesë e politikës së “tolerancës zero” të shpallur nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, i njohur për qëndrimet e tij skajshmërisht radikale ndaj palestinezëve dhe çështjeve të të drejtave të njeriut në burgje.
Ky incident ka shkaktuar reagime në mediat ndërkombëtare dhe është parë si një tjetër akt shtypjeje dhe frikësimi ndaj të burgosurve politikë palestinezë në kontekstin e tensioneve në rritje në rajon.