Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftoi se mëngjesin e sotëm ka rrëzuar një tjetër dron izraelit të tipit Hermes 900 mbi rajonin Khorramabad, në provincën perëndimore Lorestan. Bëhet fjalë për një nga dronët më të sofistikuar dhe më të shtrenjtë të arsenalit ushtarak izraelit.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ushtria izraelite (IDF), e cila në një deklaratë të shkurtër njoftoi se rrëzimi ndodhi gjatë “aktiviteteve operacionale” në territorin iranian. “Gjatë një aktiviteti operativ, një mjet ajror pa pilot i forcave ajrore u rrëzua në Iran. Nuk ka rrezik për rrjedhje të informacionit të ndjeshëm,” thuhet në njoftim.
Mediat iraniane kanë publikuar një video për të cilën pretendohet se tregon momentin e rrëzimit të dronit, i identifikuar si Hermes 900 – një UAV shumëfunksional i aftë për misione zbulimi dhe sulmi, përfshirë mbajtjen e raketave kundërtanke.
Kujtojmë se edhe javën e kaluar një dron Hermes 900 u rrëzua mbi zonën e Isfahanit në Iranin qendror, duke treguar një prani të shtuar të mjeteve ajrore izraelite në hapësirën ajrore iraniane, por edhe gatishmërinë e Teheranit për t’i kundërpërgjigjur.
Hermes 900, i prodhuar nga kompania izraelite Elbit Systems, vlerësohet të kushtojë nga 10 deri në 16 milionë dollarë për njësi, duke e bërë atë një nga dronët më të kushtueshëm në përdorim ushtarak të rregullt.
Ky model është përmendur së fundmi edhe në mediat rajonale, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi blerjen e “sistemeve më moderne të luftës”, përfshirë dronë që i përshkroi si “më të mirët në botë”. Megjithëse nuk u përmendën emra konkretë, Elbit Systems njoftoi pak më pas nënshkrimin e një marrëveshjeje me një “shtet evropian të paidentifikuar” për furnizimin me sistemin raketor PULS dhe dronët Hermes 900, çka nxiti spekulime se Serbia mund të jetë blerësi potencial.