I dërguari iranian në OKB tha se Grossi nuk ka arritur të “ndërmarrë masa të përshtatshme parandaluese dhe penguese me heshtjen dhe mosveprimin e tij të vazhdueshëm përballë këtyre shkeljeve”
Irani ka paraqitur një ankesë zyrtare kundër kreut të organit mbikëqyrës bërthamor të OKB-së, Rafael Grossi, duke e akuzuar atë për anshmëri dhe pasivitet ndaj sulmeve izraelite ndaj vendit, transmeton Anadolu.
Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadori dhe përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB, Amir-Saeid Iravani, i quajti komentet e Grossit gjatë sulmeve izraelite ndaj Iranit dhe lokacioneve të tij bërthamore “një shkelje të qartë dhe serioze të standardit të paanshmërisë” që kërkon pozicioni i tij.
Në letrën e tij, Iravani se Grossi nuk ka arritur të “ndërmarrë masa të përshtatshme parandaluese dhe penguese me heshtjen dhe mosveprimin e tij të vazhdueshëm përballë këtyre shkeljeve”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në mëngjes herët tha se forcat amerikane bombarduan tre lokacione bërthamore iraniane në Fordow, Natanz dhe Isfahan.
Sulmi amerikan vjen pas sulmeve ushtarake izraelite të mbështetura nga SHBA-ja ndaj Iranit që nga 13 qershori, që çuan në sulme hakmarrëse nga Teherani.
Që atëherë, autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas autoriteteve iraniane, të paktën 430 persona janë vrarë dhe më shumë se 3.500 të tjerë plagosur në sulmet izraelite në Iran.