Irani: Bota nuk duhet të harrojë se SHBA-ja e tradhtoi diplomacinë – do të mbrohemi me të gjitha mjetet

Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur “një luftë të rrezikshme kundër Iranit” me sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane të dielën, sipas një deklarate të publikuar nga agjencia shtetërore iraniane Tasnim.

“Botës nuk i lejohet të harrojë se ishin pikërisht Shtetet e Bashkuara që, në mes të një procesi diplomatik, e tradhtuan diplomacinë,” thuhet në deklaratë.

Duke e përshkruar Izraelin si një forcë “gjenocidale dhe të paligjshme”, ministria akuzoi SHBA-në për nisjen e një “lufte të rrezikshme kundër Iranit”.

Sulmet janë cilësuar si shkelje e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e të drejtës ndërkombëtare, ndërsa SHBA mban “përgjegjësinë e plotë për pasojat e rënda dhe fatale të këtij krimi të neveritshëm”.

Ministria paralajmëroi se Irani ka “të drejtë legjitime për t’u përballur plotësisht dhe me vendosmëri me agresionin ushtarak amerikan dhe krimet e këtij regjimi të egër, dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe interesat e tij me të gjitha mjetet e nevojshme”.

Gjithashtu, Irani u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të saj, përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), që “të reagojnë menjëherë ndaj këtij akti të paligjshëm dhe kriminal”.

U kërkua gjithashtu që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mbajë një seancë urgjente për të dënuar sulmet.

Kategoritë
BotaLajme