Milan vazhdon të eksplorojë mundësinë e transferimit të mesfushorit shqiptar, Granit Xhaka, dhe drejtori sportiv i ‘Rossonerëve’, Igli Tare, së fundmi ka zhvilluar takime me përfaqësues të lojtarit për të diskutuar më tej marrëveshjen.
Milan po synon të rindërtojë mesfushën gjatë afatit kalimtar të verës, pas largimit të Tijjani Reijnders te Manchester City, largimit të pritshëm të Ruben Loftus-Cheek dhe një transferimi të mundshëm të Yunus Musah te Napoli.
Xhaka është një lojtar që ‘Rossonerët’ e pëlqejnë shumë, ashtu si edhe trajneri i ri Massimiliano Allegri, i cili dëshiron me forcë ta sjellë mesfushorin me përvojë në ‘San Siro’.
Sipas Football Italia, drejtori sportiv i Milanit, Tare, u takua të hënën në Gjermani me agjentët e Xhakës për të gjetur kushtet e duhura që do ta bindnin Bayer Leverkusenin të pranojë shitjen e mesfushorit 32-vjeçar, i cili ka kontratë deri në verën e vitit 2028.
Leverkuseni, i cili këtë verë ka shitur lojtarë kyç si Florian Wirtz dhe Jeremie Frimpong, dëshiron të mos humbasë edhe një titullar tjetër dhe pritet të kërkojë një shumë të lartë për transferimin.
Megjithatë, Milan do të vazhdojë përpjekjet për të siguruar nënshkrimin e Xhakës gjatë ditëve apo javëve në vazhdim.