Goli spektakolar i Arda Güler nga gjuajtja e lirë, i realizuar nga rreth 30 metra në minutën e 20-të të ndeshjes ku Turqia u mposht 2-1 nga Belgjika në Ligën e Kombeve të UEFA-s, ka bërë jehonë në mediat evropiane. Mediat spanjolle dhe portugeze e kanë krahasuar golin e yllit 21-vjeçar të Real Madridit me goditjet legjendare të Lionel Messit, Roberto Carlosit dhe David Beckhamit.
Kombëtarja e Turqisë në futboll u përball me Belgjikën në ndeshjen e pestë të Ligës A të Kombeve të UEFA-s. Në takimin e parë nën drejtimin e trajnerit Sergen Yalçın, turqit kaluan të parët në epërsi, por në fund u mposhtën me rezultat 2-1.
Goli i vetëm i Turqisë u shënua nga Arda Güler, i cili realizoi një goditje të jashtëzakonshme nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës.
Ky realizim tërhoqi vëmendjen e mediave evropiane, veçanërisht atyre spanjolle, të cilat e krahasuan talentin turk me disa prej mjeshtërve më të mëdhenj të gjuajtjeve të lira në historinë e futbollit.
“GOL NGA GJUATJA E LIRË QË KUJTON MESSIN!”
Gazeta sportive spanjolle Marca e titulloi artikullin e saj:
“Arda Güler shkëlqen me Turqinë: Goli nga gjuajtja e lirë që kujton Messin e vitit 2019.”
Sipas gazetës, portieri Lammens nuk pati mundësi të reagonte ndaj goditjes së fuqishme me këmbën e majtë, e cila përfundoi në këndin e sipërm të portës.
Marca e krahasoi këtë realizim me golin e paharrueshëm të Lionel Messit kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve, në sezonin 2018/19.
“Güler u shndërrua në Messi me një gjuajtje të lirë heroike. Ajo trajektore e topit ishte nga një botë tjetër!”, shkroi gazeta spanjolle.
“ARDA GÜLER ËSHTË GJENI, RIKRIJOI GOLIN LEGJENDAR TË MESSIT”
Edhe gazeta tjetër spanjolle, Mundo Deportivo, i kushtoi vëmendje të veçantë golit të futbollistit turk.
“Arda Güler është gjeni: Me Turqinë rikrijoi golin legjendar të Messit kundër Liverpoolit”, ishte titulli i saj.
Në artikull theksohej se goditja e fuqishme dhe e saktë nga distanca, e cila përfundoi në këndin e sipërm të portës, ngjante jashtëzakonisht shumë me realizimin e Messit.
Sipas gazetës, pozicioni nga ku u ekzekutua goditja, bukuria e saj dhe mënyra se si topi përfundoi në rrjetë ishin pothuajse identike me golin e yllit argjentinas.
Gazeta gjithashtu theksoi se Arda Güler është shndërruar në një nga lojtarët e padiskutueshëm të Real Madridit nën drejtimin e José Mourinhos.
“NË STILIN MË TË PASTËR TË DAVID BECKHAMIT”
Gazeta spanjolle Diario AS përdori një gjuhë edhe më entuziaste për paraqitjen e talentit turk.
Në artikullin me titull “Super-Güler nuk mundi t’i mposhtte të gjithë”, gazeta vlerësoi ndikimin e tij në lojë, driblimet dhe golin e jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë.
Sipas saj, portieri Lammens nuk mund të fajësohej për golin e pësuar, pasi goditja e Güler ishte thjesht e jashtëzakonshme.
Ndërkohë, në një video të publikuar nga e njëjta media, goli u prezantua me titullin:
“O Zot! Güler shënon një gol të çmendur nga gjuajtja e lirë, pothuajse nga shtëpia e tij!”
Gazeta e përshkroi realizimin si një goditje “në stilin më të pastër të David Beckhamit”.
“GOL NGA NJË BOTË TJETËR”
Edhe portali i njohur sportiv portugez A Bola i kushtoi hapësirë të veçantë realizimit të yllit turk.
“Magjia e Arda Güler nuk arriti ta shpëtonte Turqinë nga rënia në një ligë më të ulët”, ishte titulli i artikullit.
Media portugeze e përshkroi golin e minutës së 20-të si “një realizim nga një botë tjetër”, “një gjuajtje e lirë perfekte nga një distancë shumë e largët” dhe “ndoshta goli më i bukur i gjithë turneut”.
Sipas A Bola, topi mori një trajektore të jashtëzakonshme përpara se të përfundonte në këndin e sipërm të portës, duke shkaktuar entuziazëm të madh te tifozët.
Pavarësisht humbjes së Turqisë ndaj Belgjikës, paraqitja dhe goli spektakolar i Arda Güler u shndërruan në një nga temat më të diskutuara të mediave sportive evropiane.
