Hipokrizia bërthamore: Izraeli i shmanget inspektimeve dhe sanksioneve, ndërsa Irani ndëshkohet edhe kur i respekton rregullat

Në një botë ku e drejta ndërkombëtare zbatohet shpesh në mënyrë selektive, pak çështje e zbulojnë më qartë standardin e dyfishtë të politikës globale sesa ajo e armëve bërthamore.

Ndërkohë që Irani përballet me sanksione, kërcënime dhe sulme ajrore për shkak të programit të tij bërthamor, Izraeli – një shtet që zotëron arsenal bërthamor – mbetet jashtë çdo përgjegjësie ndërkombëtare.

Në qendër të kësaj padrejtësie qëndron Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), i nënshkruar në vitin 1968 dhe i njohur sot nga 191 vende. Qëllimet themelore të traktatit janë: të ndalojë përhapjen e armëve bërthamore, të promovojë çarmatimin dhe të lejojë përdorimin paqësor të energjisë bërthamore nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Nga të gjitha shtetet nënshkruese, vetëm pesë – SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca – njihen si fuqi bërthamore pasi i kanë zhvilluar këto armë përpara hyrjes në fuqi të traktatit. Të gjitha vendet e tjera, përfshirë Iranin, janë zotuar të mos zhvillojnë armë bërthamore dhe i janë nënshtruar kontrollit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

Irani, si anëtar i NPT-së, ka deklaruar për dekada se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile. Ai është nënshtruar inspektimeve rigoroze të IAEA-së dhe ka nënshkruar protokolle shtesë, përfshirë Planin Gjithëpërfshirës të Veprimit të Përbashkët (JCPOA) të vitit 2015, me të cilin kufizoi më tej pasurimin e uraniumit.

Po Izraeli?

Izraeli, në anën tjetër, kurrë nuk e ka nënshkruar NPT-në, nuk ka lejuar ndonjë inspektim ndërkombëtar dhe as nuk ka pranuar zyrtarisht se zotëron armë bërthamore – megjithëse analiza dhe raporte të shumta, përfshirë deklarata të ish-zyrtarëve izraelitë, tregojnë se Tel Avivi ka midis 80 dhe 400 koka bërthamore.

Vendndodhja dhe kapaciteti i objektit bërthamor të Izraelit në Dimona, në shkretëtirën Negev, janë prej vitesh të mbuluara nga fshehtësia, pa asnjë kontroll ndërkombëtar.

Megjithatë, Izraeli asnjëherë nuk është përballur me sanksione, inspektime apo kërcënime ushtarake për potencialin e tij bërthamor. Përkundrazi, ka bashkëpunim të ngushtë me fuqi bërthamore si SHBA dhe Britania e Madhe, ndërsa armët e tij bërthamore thjesht – shpërfillen në forumet ndërkombëtare.

Drejtësia selektive dhe realiteti gjeopolitik

Kjo pabarazi e dukshme tregon për padrejtësinë strukturore në rregullimin global të çështjeve bërthamore. Katër vende që nuk janë anëtare të NPT-së – Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut – të gjitha zotërojnë armë bërthamore. Por vetëm Irani, që është pjesë e traktatit dhe i nënshtrohet inspektimeve, është objekt i akuzave të vazhdueshme, kërcënimeve dhe sulmeve.

Përgjigjja qëndron në gjeopolitikë, aleanca dhe interesat e fuqive të mëdha. Irani është politikisht dhe ushtarakisht kundër interesave amerikano-izraelite në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli është një aleat kyç i Perëndimit. Kështu, rregullat e rendit ndërkombëtar nuk zbatohen në mënyrë të barabartë – por selektivisht, sipas interesave të të fuqishmëve.

Kjo situatë e nxjerr në pah hipokrizinë bërthamore në thelb të sistemit ndërkombëtar: ata që respektojnë rregullat shpesh ndëshkohen, ndërsa ata që i shpërfillin – mbrohen.

Nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron të ruajë besueshmërinë e normave si NPT-ja, duhet të ndalë praktikën e standardeve të dyfishta. Sepse për sa kohë që ekziston toleranca ndaj arsenaleve bërthamore të disa vendeve, ndërsa të tjerat ndëshkohen edhe për aktivitetet paqësore – siguria globale dhe besimi në institucionet ndërkombëtare do të vazhdojnë të dobësohen.

Kategoritë
BotaLajme