Komuniteti hebre i qytetit Isfahan në Iran ka reaguar ndaj përshkallëzimit të konfliktit midis Iranit dhe Izraelit, duke dënuar ashpër sulmet e qeverisë izraelite të udhëhequr nga Benjamin Netanyahu.
Në deklaratën e publikuar nga agjencia iraniane IRNA, komuniteti hebre i ka shprehur ngushëllime udhëheqjes iraniane për vrasjen e gjeneralëve dhe shkencëtarëve në sulmet ajrore.
“Brutaliteti i sionistëve, që është larg çdo morali njerëzor dhe që ka shkaktuar martirizimin e shumë bashkëqytetarëve tanë të dashur – përfshirë fëmijët e pafajshëm – ka lënduar thellë zemrat tona,” thuhet në deklaratë.
Komuniteti thekson besimin e tij se Irani do të reagojë në mënyrë të vendosur ndaj këtyre veprimeve.
“Jemi të bindur se Republika Islamike e Iranit, krenare dhe e ndershme, do t’i përgjigjet regjimit sionist dhe do ta detyrojë atë të pendohet për aktet e tij të turpshme,” thuhet më tej.
Në rajonin Isfahan jetojnë rreth 1.200 hebrenj, ndërsa në gjithë Iranin numri i tyre vlerësohet të jetë rreth 3.000 persona.