Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka njoftuar se do të ngrejë padi kundër administratës së presidentit amerikan Donald Trump për dërgimin e Gardës Kombëtare në Los Anxhelos pa pëlqimin e shtetit.
Në një intervistë për Fox News, Newsom tha:
“Ka një arsye pse nesër do të jemi në gjykatë”, duke shtuar se është i bindur për fitoren.
Për MSNBC, ai shpjegoi se padia ka për qëllim të kundërshtojë urdhrin ekzekutiv të Trumpit, i cili federalizon Gardën Kombëtare të Kalifornisë pa u konsultuar me autoritetet shtetërore.
“Në urdhrin ekzekutiv dhe në dokumentin e Pentagonit thuhet qartë se është e detyrueshme koordinimi me guvernatorin e shtetit përkatës. Kjo nuk ndodhi,” theksoi Newsom.
“Pete Hegseth është një tallje”
Në të njëjtën intervistë, ai sulmoi ashpër sekretarin e mbrojtjes, Pete Hegseth – ish-prezantues në Fox News – duke e quajtur:
“Një tallje. Të gjithë e dinë se nuk ka asnjë ide çfarë bën. Turp.”
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Los Anxhelosin”
Newsom shtoi:
“Ky është një moment i rëndë. Jetët e njerëzve janë në rrezik. Reputacioni i vendit është në rrezik. Qytetet dhe shtetet amerikane janë në rrezik.”
“Kjo është vetëm paralajmërimi i asaj që po vjen. Nuk ka të bëjë vetëm me Los Anxhelosin. Ka të bëjë me të gjithë ne – me ty, me mua, me çdo qytetar. Ju siguroj: ai njeri është jashtë kontrollit. Donald Trump është aktualisht jashtë kontrollit.”
Në një postim në platformën X, Newsom shtoi:
“Kjo është ajo që Donald Trump dëshironte. Ai ndezi zjarrin dhe në mënyrë të paligjshme federalizoi Gardën Kombëtare. Urdhri që nënshkroi nuk vlen vetëm për Kaliforninë. Ai mund ta zbatojë këtë në çdo shtet amerikan. Ne do ta çojmë në gjykatë.”