Shkruan Gresa Kroni
Gratë nuk kanë nevojë vetëm për ngushëllime pasi vriten. Kanë nevojë për mbrojtje derisa janë gjallë!
Do të humben edhe shumë jetë, ashtu si në rastin e djeshëm, përderisa institucionet tona vazhdojnë të tregojnë tolerancë ndaj dhunës dhe mendësia e prapambetur nuk ndryshon!
Çfarë duhet të bëjmë?
A mjaftojnë ngushëllimet, keqardhjet, thirrjet, statuset dhe deklaratat?
Deri më tani, duket se asnjëra prej tyre nuk ka sjellë ndryshimin e nevojshëm. Fjalët po përsëriten, por gratë dhe vajzat vazhdojnë të jetojnë nën frikën e dhunës, e disa prej tyre po e paguajnë me jetë.
E çfarë duhet të bëjmë për t’i ndalur këta burra që dhunojnë dhe vrasin gratë?
1. Prani më e madhe policore dhe mbrojtje reale
Po sikur institucionet të ndërmarrin masa konkrete, duke shtuar praninë policore në lagjet ku ka rrezik të lartë të dhunës në familje?
Për shembull, në çdo fshat, sipas nevojës dhe vlerësimit të rrezikut, të organizohen patrulla të rregullta dhe reagim i shpejtë policor, veçanërisht në rastet kur gratë dhe vajzat kanë raportuar kërcënime apo dhunë.
Prania e policisë dhe zbatimi i ligjit duhet të jenë mesazhi i qartë se dhuna nuk do të tolerohet dhe se askush nuk mund të kërcënojë, të keqtrajtojë apo të vrasë pa u përballur me drejtësinë.
Nuk duhet të presim që një grua të vritet për të kuptuar se ajo ka qenë në rrezik.
2. Sistem alarmi për viktimat e dhunës
Po sikur të krijohet një sistem elektronik alarmi për gratë dhe vajzat që janë të ekspozuara ndaj rrezikut?
Një sistem që, në momentin kur viktima ndien se situata po përshkallëzohet dhe jeta e saj është në rrezik, të mundësojë aktivizimin e një alarmi dhe njoftimin e menjëhershëm të policisë.
Alarmi duhet të jetë i lidhur me vendndodhjen e viktimës, në mënyrë që patrulla ta identifikojë saktë adresën dhe të ndërhyjë sa më shpejt, pa humbur minuta të çmuara.
Një mekanizëm i tillë, i shoqëruar me vlerësim të rrezikut dhe mbrojtje të vazhdueshme, mund të bëhet një mjet i rëndësishëm për parandalimin e tragjedive.
Sepse kur një grua kërkon ndihmë, çdo minutë mund të jetë vendimtare!
3. Qendra këshillimi dhe fuqizimi për vajzat dhe gratë
Po sikur në çdo qytet të Kosovës të funksiononte një qendër e specializuar për këshillimin, edukimin dhe fuqizimin e vajzave dhe grave?
Një qendër e financuar nga shteti, me psikologë, psikiatër, sociologë, mjekë specialistë dhe ekspertë të fushave përkatëse, ku vajzat dhe gratë të mund të marrin këshillim profesional dhe mbështetje.
Kjo qendër do të duhej të kishte disa qëllime thelbësore:
1. Orientimi në shkollim dhe zhvillim personal.
Vajzat duhet të orientohen drejt shkollimit, edukimit dhe profesioneve për të cilat kanë prirje e interes. Ato duhet ta kuptojnë se arsimimi, pavarësia ekonomike dhe zhvillimi personal janë baza të rëndësishme për një jetë të pavarur dhe të sigurt.
2. Përgatitja për jetën dhe marrëdhëniet martesore.
Vajzat duhet të kenë mundësi të kuptojnë rëndësinë e respektit të ndërsjellë, përgjegjësive familjare, komunikimit, barazisë dhe kufijve personalë. Martesa nuk duhet të nënkuptojë humbjen e identitetit, të drejtave apo të ardhmes së një gruaje.
3. Vetëdijesimi për dhunën dhe mënyrat e kërkimit të ndihmës.
Vajzat duhet të mësohen ta njohin dhunën në të gjitha format e saj, të mos e normalizojnë atë dhe të dinë se ku të drejtohen për ndihmë. Ato duhet të fuqizohen që të vendosin kufij dhe të kuptojnë se kanë të drejtë të thonë JO, pa frikë dhe pa u ndier fajtore.
Këto qendra duhet të ofrojnë këshillim sipas moshës dhe nevojave, përfshirë programe parandaluese për adoleshentët, duke filluar nga mosha 14-vjeçare, me qasje të përshtatshme për moshën dhe me profesionistë të trajnuar.
Qëllimi nuk është t’i përgatisim vajzat vetëm për martesë, por t’i përgatisim për jetën. Të njohin vlerën e tyre, të drejtat që i kanë dhe mundësitë që u takojnë.
Asnjë vajzë nuk duhet të hyjë në një martesë duke menduar se dhuna është pjesë e saj. Asnjë grua nuk duhet të qëndrojë në një marrëdhënie të dhunshme sepse nuk ka mbështetje, siguri apo rrugëdalje.
Në fakt, gjithçka që po bëjmë duket sikur nuk po funksionon.
Sado që mundohemi, sërish po përballemi me të njëjtën dhimbje, të njëjtin lajm dhe të njëjtën tragjedi.
Dhuna vazhdon të jetë e pranishme në familjet tona, shpesh e fshehur pas dyerve të mbyllura, derisa bëhet tepër vonë.
Ne, që sot jemi vetëm spektatorë të këtyre tragjedive, nuk duhet të presim që e njëjta gjë të na ndodhë neve, motrave, nënave, vajzave apo grave tona për ta kuptuar seriozitetin e situatës.
Gjendja është alarmante!
Nuk e di më nëse ka mbetur ndonjë fjalë që nuk e kemi thënë apo ndonjë thirrje që nuk e kemi bërë.
Por e di se nuk mund të vazhdojmë kështu. Nuk mund të presim viktimën e radhës për të reaguar. Nuk mund të mjaftohemi me një status, një deklaratë dhe disa ditë indinjatë, derisa gjithçka të harrohet e të përsëritet sërish.
Na duhen masa konkrete, institucione që veprojnë me kohë, drejtësi që zbatohet dhe një shoqëri që nuk e arsyeton, nuk e fsheh dhe nuk e toleron dhunën.
Sepse koha kalon, por për disa gra ajo ndalet përgjithmonë.
Bota po vazhdon të humbasë jetë grash vetëm sepse janë gra, ndërsa ne vazhdojmë të numërojmë viktimat dhe të pyesim veten se çfarë mund të kishim bërë ndryshe.
Mëkat!
Mëkat për çdo jetë të humbur, për çdo fëmijë që mbetet pa nënë, për çdo familje që shkatërrohet dhe për çdo grua që nuk arriti të shpëtohej në kohë.
Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.
