Një muaj paraburgim për të dyshuarin që mblodhi mbi 189 mijë euro, duke pretenduar se vuante nga leukemia

Një muaj paraburgim për të dyshuarin që mblodhi mbi 189 mijë euro, duke pretenduar se vuante nga leukemia

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Endrit Azemit, i cili dyshohet se ka mashtruar qytetarët duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe se kishte nevojë për trajtim jashtë vendit.

Sipas njoftimit të gjykatës, dyshohet se nga 9 deri më 21 nëntor 2026 Azemi ka përdorur dokumentacion të falsifikuar, kinse të lëshuar nga spitali “Acibadem Altunizade” në Stamboll të Turqisë, për të bindur qytetarët se kishte nevojë për trajtim mjekësor.

Përmes platformës “GoFund” dhe aktiviteteve për mbledhjen e mjeteve të organizuara nga familjarë dhe persona të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, ai dyshohet se ka grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 80 centë.

Nga kjo shumë, 162 mijë e 522 euro janë grumbulluar përmes platformës “GoFund”, ndërsa 26 mijë e 684 euro e 80 centë përmes aktiviteteve të organizuara në Gjilan.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se u ka shkaktuar dëm material qytetarëve të ndryshëm, duke krijuar për vete përfitim të kundërligjshëm pasuror.

Ai dyshohet për veprën penale të mashtrimit, nga neni 323, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji të pandehurit E. A. i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale mashtrimi.

Sipas kërkesës së prokurorisë nga data 09.11.2026 e deri me datë 21.11.2026, i pandehuri E. A., me dashje dhe në vazhdimësi dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke e përdorur metodën e mashtrimit, i sjell në lajthim personat tjerë, në atë mënyrë që ka sajuar situatën se kinse është i sëmurë me sëmundjen e Leukemisë Akute, duke prezantuar edhe dokumentacion të rremë nga spitali “Acibadem Altzunizade” në Stamboll të Turqisë, me arsyetimin se do ti nënshtrohet trajtimit lidhur me sëmundjen.

E më pas përmes hapjes së “GoFound” dhe aktivitetit të familjarëve dhe personave të ndryshëm në qytetin e Gjilanit, arrin të grumbullojë shumën prej 162.522 (njëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e njëzet e dy) euro, në rrjetin “GoFound”, si dhe nga aktiviteti për grumbullimin e mjeteve në qytetin e Gjilanit janë grumbulluar shuma prej 26.684.8 (njëzet e
gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër euro e tetë cent), me çka të dëmtuarve, konkretisht qytetarëve të ndryshëm, iu ka shkaktuar dëm material në vlera të ndryshme, e që shuma e tërësishme arrin vlerën prej 189.206.8 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e gjashtë euro e tetë cent) duke krijuar dobi pasurore për vete.

Më këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale mashtrimi nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm… ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi