Testimi në Gjirin e Sarosit zgjeron kapacitetet e kompanisë Baykar në luftën kundër nëndetëseve, pas testimeve të mëparshme me sonobujë nga droni TB3.
Droni luftarak turk Bayraktar Akinci lëshoi me sukses një silurë të lehtë Orka, të zhvilluar në vend, mbi Gjirin e Sarosit në veriperëndim të Turqisë, duke shënuar lëshimin e parë të kësaj arme nga një mjet ajror pa pilot, transmeton Anadolu.
Prodhuesi turk i dronëve Baykar dhe kryetari i tij, Selcuk Bayraktar, publikuan pamje të testimit në rrjetet sociale. Akinci u ngrit me silurën nga Qendra e Trajnimit të Fluturimit dhe Testimit në Çorlu, në provincën veriperëndimore Tekirdag.
Gjatë testimit, silura u shkëput nga pjesa e poshtme e krahut të avionit dhe hyri në ujë në pikën e përcaktuar. Më pas, droni u kthye në qendrën e testimit.
Baykar ka zgjeruar kapacitetet e Akincit përmes integrimit të pajisjeve dhe municioneve të zhvilluara në vend ndërsa testimi i fundit i shtriu këto përpjekje edhe në luftën kundër nëndetëseve.
– Testimi pason provat me sonobujë nga TB3
Testimi pason provat e mëparshme, gjatë të cilave droni luftarak Bayraktar TB3 i Baykarit vendosi me sukses sonobujë duke përdorur sistemin SAS POD të kompanisë.
Sonobujët mbledhin sinjale akustike nënujore që mund të ndihmojnë në lokalizimin e nëndetëseve. TB3 mund t’i përpunojë këto sinjale në kohë reale, duke i mundësuar mjetit ajror të ndihmojë në zbulimin e objektivave nënujore.
Testimet shqyrtuan rolet plotësuese të dy dronëve në operacionet kundër nëndetëseve, ku TB3 ndihmon në zbulimin e nëndetëseve ndërsa Akinci bart silurët për t’i goditur ato.
– ORKA e projektuar për lëshim nga anijet dhe mjetet ajrore
E zhvilluar nga kompania turke e mbrojtjes Roketsan, Orka e gjeneratës së ardhshme është një silurë e lehtë e projektuar për të goditur nëndetëset.
Arma mund të lëshohet nga anijet sipërfaqësore dhe mjetet ajrore dhe është e pajisur me një sistem drejtimi në bord që përdor sonar aktiv dhe pasiv për të zbuluar objektivat nënujore.
Testimi në Gjirin e Sarosit demonstroi aftësinë e Akincit për të lëshuar silurën, duke e shtuar dronin luftarak në platformat ajrore nga të cilat Orka është lëshuar me sukses.