“Vdekja të pret”: Mesazh kërcënues mbërrin në më shumë se 450 shkolla në Gjermani

“Vdekja të pret”: Mesazh kërcënues mbërrin në më shumë se 450 shkolla në Gjermani

Më shumë se 450 shkolla në mbarë Gjermaninë kanë marrë kërcënime për bomba përmes postës elektronike mëngjesin e së hënës. Të gjitha mesazhet kishin të njëjtën përmbajtje dhe titullin “Vdekja të pret”, ndërsa policia nuk beson se kërcënimet paraqesin rrezik real.

Sipas njoftimit të policisë në Freiburg, raportimet për kërcënimet kanë mbërritur në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe përmes numrit të emergjencës. Bazuar në informacionet e deritanishme, mesazhet kërcënuese janë dërguar në më shumë se 450 institucione arsimore në të gjithë vendin.

Disa shkolla, si masë paraprake, kanë pezulluar mësimin ose kanë evakuuar nxënësit, ndërsa të tjera kanë vazhduar aktivitetin normal, raporton gazeta gjermane Bild.

Policia në landin e Turingisë ka nisur hetimet për prishje të qetësisë publike përmes kërcënimeve për kryerjen e veprave penale.

Sipas të dhënave të deritanishme, hetuesit vlerësojnë se ekzistenca e një rreziku real është pak e mundshme.

Ende nuk dihet se kush qëndron pas dërgimit të këtyre mesazheve kërcënuese.

Kategoritë
BotaLajme