Shefi i grupit parlamentar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nëse dikush tenton ta arrestojë, do të hyjë në grevë urie. Ai pretendon se në një situatë të tillë, një milion njerëz do të dilnin në rrugë.
Vuçiq i bëri këto deklarata gjatë një interviste në televizionin Pink, ku foli edhe për pjesëmarrjen e SNS-së në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, si dhe për ndryshimet në strukturat drejtuese të partisë.
Duke folur për Listën Studentore, e cila ka shumicën në Kuvendin e Serbisë, Vuçiq tha se “për ta e vetmja gjë e rëndësishme është se si t’i bëjnë keq dikujt që e urrejnë”.
Ai theksoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se, në rast të një përpjekjeje për arrestimin e tij, do të fillonte grevën e urisë. Vuçiq ngriti gjithashtu pyetjen se çfarë do të bënin kundërshtarët e tij nëse një milion njerëz do të dilnin në rrugë.
Ai shtoi se nuk sheh asnjë bazë ligjore për arrestimin e tij, duke pretenduar se presidenti nuk nënshkruan asnjë dokument që lidhet me çështjet financiare.
Vuçiq deklaroi gjithashtu se personalisht është më afër qëndrimit që SNS të mos marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale, në mënyrë që të mos u japë legjitimitet kundërshtarëve politikë.
“Pse duhet ta bëjmë këtë, ndërkohë që njerëzit tanë po përndiqen, keqtrajtohen dhe ngacmohen? Është plotësisht e mundur që partia të marrë edhe një vendim tjetër”, deklaroi Vuçiq.
Gjatë së njëjtës intervistë, Vuçiq pretendoi se të dielën kishte marrë kërcënime me vdekje nga i ashtuquajturi “klani i Vraçarit”.
Megjithatë, ai tha se nuk do t’i raportojë këto kërcënime në polici, pasi nuk ka besim tek ajo.
