Bosnjë, arrestohet ish-komandanti i forcave të Srebrenicës gjatë luftës, Naser Oriq

Bosnjë, arrestohet ish-komandanti i forcave të Srebrenicës gjatë luftës, Naser Oriq

Operacioni policor shënjestroi të dyshuarit për ndihmën ndaj një personi të arratisur, i kërkuar në kuadër të një hetimi për tentativë vrasjeje.

Policia boshnjake arrestoi sot ish-komandantin e forcave të Srebrenicës gjatë luftës, Naser Oriq, në kuadër të një hetimi për ndihmën e dyshuar ndaj një personi të arratisur, i kërkuar në lidhje me një rast të tentativës për vrasje.

Oriq u arrestua në zonën e Olovos ndërsa ish-deputetja e Republikës Sërpska, Nikolina Shljiviq u ndalua në lindje të Sarajevës, konfirmoi për mediat lokale Agjencia Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje e Bosnjës (SIPA).

Operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me policinë e Republikës Sërpska, shënjestron persona të dyshuar për ndihmën ndaj të arratisurit Gjorgje Zhdrale për t’iu shmangur autoriteteve. Zhdrale kërkohet nën dyshimet për tentativë vrasjeje në Sarajevën Lindore në muajin gusht.

Oriq komandonte forcat e qeverisë boshnjake në Srebrenicë dhe rreth saj gjatë luftës në Bosnjë të viteve 1992-1995. Ai ishte përballur më parë me akuza për krime lufte ndaj të burgosurve serbë.

Gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Hagë e shpalli të pafajshëm në shkallën e apelit në vitin 2008 ndërsa Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e shpalli të pafajshëm në një çështje tjetër në vitin 2018.

Hetimet lidhur me arrestimet e sotme janë në vazhdim.

Kategoritë
LajmeRajoni