Në një operacion të madh ndërkombëtar pesëditor, agjencitë policore nga 11 vende gjurmuan rrjetin financiar të industrisë ilegale evropiane të transmetimeve online, me qëllim luftimin e piraterisë.
Gjithsej 57 shërbime pirate IPTV u mbyllën, ndërsa përmes gjurmimit të transaksioneve me kriptovaluta, hetuesit identifikuan një shumë prej më shumë se 26 milionë eurosh.
Operacioni u zhvillua nga 16 deri më 20 nëntor në selinë e Policisë Kombëtare të Spanjës. Fokusi i hetuesve ishte gjurmimi i parave dhe pagesave me kriptovaluta, përmes të cilave financohen rrjetet kriminale që qëndrojnë pas piraterisë digjitale.
Gjatë operacionit u identifikuan 321 faqe interneti që ofronin në mënyrë të paautorizuar përmbajtje të mbrojtura nga e drejta e autorit, duke regjistruar mbi 7,3 milionë vizita në vit. Hetimet dhe analizat e hollësishme të rrjedhave financiare vazhdojnë, ndërsa pritet që shuma e identifikuar në kriptovaluta të jetë edhe më e madhe.
Ofruesit ilegalë të transmetimeve online prej vitesh shesin qasje të paautorizuar në kanale televizive premium, filma të njohur dhe transmetime të drejtpërdrejta sportive, për vetëm disa euro në muaj, duke realizuar pagesat e abonimeve kryesisht përmes kriptovalutave.
Sipas të dhënave të Aleancës Kundër Piraterisë në Mediat Audiovizuale (AAPA), vlerësohet se rreth 60 milionë njerëz në mbarë Evropën përdorin shërbime ilegale IPTV. Si pasojë, ofruesit ligjorë të shërbimeve humbasin rreth 4,83 miliardë euro në vit, ndërsa buxhetet shtetërore humbasin edhe 1,08 miliardë euro për shkak të taksave të papaguara.
Europol thekson se ky operacion përfaqëson një kthesë në luftën kundër piraterisë digjitale. Në vend që të përqendrohen vetëm në mbylljen e serverëve dhe faqeve të internetit, hetuesit tashmë synojnë të godasin të gjithë infrastrukturën financiare që mundëson funksionimin e këtyre rrjeteve.
“Mbyllja e një shërbimi ilegal nuk i ndalon domosdoshmërisht kriminelët që qëndrojnë pas tij. Përmes gjurmimit të pagesave, identifikimit të përdoruesve dhe goditjes së rrjeteve financiare, synimi është t’ua vështirësojmë vazhdimin e përfitimeve nga pirateria digjitale”, thuhet në njoftimin e Europolit.
Në operacion morën pjesë rreth 40 ekspertë, përfshirë 30 zyrtarë policorë nga Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Irlanda, Italia, Holanda, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
