Ushtria ka nisur të paktën 16 hetime që nga tetori 2023 lidhur me përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore, por askush nuk është ndjekur penalisht.
Izraeli nuk ka ndjekur penalisht asnjë pjesëtar të ushtrisë për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore, pavarësisht se që nga tetori 2023 ka hapur të paktën 16 hetime për raste të dyshuara, raportoi sot gazeta “Haaretz”, transmeton Anadolu.
Gazeta izraelite bëri të ditur se 10 nga hetimet kanë të bëjnë me incidente në Rripin e Gazës ndërsa rastet e tjera lidhen me incidente në Bregun Perëndimor të pushtuar. Sipas gazetës, gjashtë hetimet e para u hapën në mes të presionit ndërkombëtar dhe raporteve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të cilat dokumentonin dëshmi lidhur me këtë praktikë.
Dhjetë hetimet e tjera lidhen me incidente të ndodhura gjatë viteve 2024 dhe 2025, bazuar në informacionet e siguruara nga organizata izraelite për të drejtat e njeriut Hatzlacha.
Sipas gazetës, e cila e zbuloi për herë të parë këtë praktikë në fillim të vitit 2024, ushtria izraelite e cilëson zyrtarisht atë si “shfrytëzimin e popullsisë civile në operacionet ushtarake” ndërsa ushtarët në terren e quajnë “procedura e mushkonjës”.
Praktikë e përhapur
“Haaretz” iu referua një raporti të qershorit 2025 të organizatës palestineze për të drejtat e njeriut “Al-Haq”, me seli në Ramallah, të cilën Izraeli e ka ndaluar. Raporti përmbante dëshmi të palestinezëve, përfshirë të mitur, të cilët ushtria i kishte përdorur si mburoja njerëzore gjatë operacioneve ushtarake.
Ndër incidentet e përmendura ishte përdorimi i një palestinezi për të inspektuar një objekt nëntokësor në Jenin, në Bregun Perëndimor, në shtator 2024.
Në dhjetor 2023, ushtarët dërguan një shofer ambulance në një ndërtesë të braktisur në Tulkarem, pasi pretenduan se brenda saj ndodhej një person i plagosur, raportoi gazeta. Ushtarët hynë në ndërtesë pasi shoferi doli prej saj, por nuk gjetën asnjë person të plagosur.
Në Gaza, sipas “Haaretz”-it, kjo praktikë fillimisht nisi në një numër të kufizuar njësish, veçanërisht në njësitë e rregullta të këmbësorisë, përpara se të përhapej më gjerësisht.
Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza, që nga tetori 2023, ka shkaktuar vrasjen e mbi 74 mijë palestinezëve dhe plagosjen e mbi 176 mijë të tjerëve, shumica gra dhe fëmijë. Krahas luftës në Gaza, forcat izraelite kanë intensifikuar sulmet kundër palestinezëve dhe pronave të tyre në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrton një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut, e cila akuzon Izraelin për gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza. Në këtë çështje janë bashkuar edhe disa shtete të tjera.
Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant lidhur me krime të dyshuara lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.