Papa Françesku kishte pretenduar se gjatë jetës së tij kishte parë tri herë djallin, si dhe kishte përjetuar një pamje që e përshkroi si “portat e ferrit”. Këto detaje dalin në dritë përmes fragmenteve të reja nga ditari i tij personal.
Në librin “Ditari privat i Papa Françeskut” (The Private Diary of Pope Francis), të publikuar të martën, një shënim i vitit 2021 përshkruan tri raste kur ish-kreu i kishës katolike pretendonte se kishte parë djallin, shkruan BBC-i, transmeton IndeksOnline.
Sipas shënimeve të tij, takimi i parë kishte ndodhur teksa ndodhej në një makinë, i dyti në tribunën e korit të kishës gjatë meshës, ndërsa i treti gjatë një takimi me zyrtarë të Vatikanit.
“Nuk mund ta harroj zërin e tij të fuqishëm, të ngjirur”, kishte shkruar Françesku, duke kujtuar njërën prej këtyre përvojave.
Ditari, i cili përfshin periudhën nga viti 1992 deri në vitin 2024, zbulon gjithashtu pendesën e tij lidhur me vizitën në Kili në vitin 2018. Gjatë asaj vizite, Françesku ishte përballur me kritika të shumta për mbrojtjen e një peshkopi të akuzuar se kishte mbuluar rastet e abuzimit seksual të kryera nga një prift.
Më vonë, Papa kërkoi falje dhe thirri të gjithë peshkopët e Kilit në Romë, ku ata paraqitën dorëheqjet e tyre.
“I shkatërruar nga situata në Kili”, kishte shkruar Françesku në një shënim të vitit 2021.
“Ishte e vështirë për mua ta pranoja atë që kishte ndodhur në Kili. Nuk e kisha menduar se situata ishte kaq serioze”, kishte shtuar ai.
Duke iu rikthyer përvojave që i kishte interpretuar si takime me djallin, Françesku kishte thënë se nuk mund t’i harronte sytë e tij kërcënues.
Papa Françesku drejtoi kishën katolike për 12 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 2025.
