Gashi në Zagreb: Maqedonia e Veriut kërkon garanci se nuk do të bllokohet më në rrugën drejt BE-së

Gashi në Zagreb: Maqedonia e Veriut kërkon garanci se nuk do të bllokohet më në rrugën drejt BE-së

“Shkupi është i gatshëm ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutë, por kërkon siguri se nuk do të ketë kërkesa të reja dypalëshe që do të ngadalësonin integrimin evropian”, tha Gashi.

Maqedonia e Veriut është e gatshme ta ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë në të pakicën bullgare, por kërkon garanci se pas përmbushjes së kësaj kërkese nuk do të ketë pengesa të reja dypalëshe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë vizitës në Zagreb, raporton Anadolu.

“Si Kuvend, jemi plotësisht të gatshëm dhe kemi konsensus të plotë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Megjithatë, na nevojiten parashikueshmëri dhe garanci se kjo do të jetë kërkesa e fundit e Bullgarisë apo e ndonjë vendi tjetër, në mënyrë që të mos na duhet ta ndryshojmë më tej Kushtetutën për çështje të identitetit”, tha Gashi në një konferencë për media pas takimit me kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut është një nga vendet kandidate që ka bërë më së shumti lëshime dhe përshtatje në rrugën evropiane, duke kujtuar se ka ndryshuar si Kushtetutën, ashtu edhe emrin e shtetit.

“Do të dëshironim që ky proces të përfundojë pa probleme të reja lidhur me identitetin, gjuhën dhe historinë”, tha Gashi, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të zbatojë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe do të presë që procesi i zgjerimit të BE-së të bazohet në merita.

Komisioni Evropian, në raportin për përparimin e vendeve kandidate, të publikuar në fillim të nëntorit, theksoi se Maqedonia e Veriut ende nuk e ka përmbushur detyrimin për ndryshimin e Kushtetutës, me të cilin bullgarët do të njiheshin si pakicë kombëtare.

Jandrokoviq shprehu shpresën se në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, kur të krijohen kushtet për këtë, do të përfshihet edhe pakica kroate që jeton në këtë vend. Ai vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka kaluar një rrugë të vështirë drejt integrimit evropian, me pengesa të shumta dhe, siç theksoi ai, standarde të dyfishta që shpesh kanë qenë në dëm të këtij vendi.

Jandrokoviq shprehu shpresën se në të ardhmen e afërt do të ketë ndryshime pozitive dhe se Maqedonia e Veriut, në përputhje me arritjet dhe përmbushjen e standardeve evropiane, do të përparojë drejt anëtarësimit në BE.

Ai shtoi se mbështetja e Kroacisë nuk është e mjaftueshme dhe se është e nevojshme të arrihet pajtueshmëri edhe mes vendeve të mëdha anëtare të Unionit për faktin se Maqedonia e Veriut e meriton anëtarësimin.

 

Kategoritë
LajmeRajoni