Raportohet se zyrtarët e Republikës Srpska, njërit prej dy entiteteve të Bosnjë e Hercegovinës, kanë zhvilluar një takim “të fshehtë” me përfaqësuesit e kompanisë izraelite të inteligjencës, të njohur si “Black Cube”.
Mediat e Bosnjë e Hercegovinës raportuan se përfaqësuesit e kompanisë izraelite të inteligjencës, të njohur si “Black Cube”, kanë mbërritur në qytetin Banja Luka, në Republikën Srpska (RS), ku kanë zhvilluar një takim “të fshehtë” me zyrtarët e këtij entiteti.
Ndërsa nuk janë bërë të ditura detaje lidhur me përmbajtjen e takimit, raportohet se as zyrtarët e Republikës Srpska nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare.
Mediat e Bosnjë e Hercegovinës, duke rikujtuar se përfaqësuesit e “Black Cube” kishin vizituar edhe dy herë më parë Banja Lukën, njoftuan se përfaqësuesit e kompanisë izraelite kishin mbërritur në këtë qytet me një fluturim direkt nga Tel Avivi.
Ndërkohë, është cilësuar si domethënës fakti që përfaqësuesit e “Black Cube” kanë vizituar Banja Lukën në një periudhë kur në Republikën Srpska po vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 4 tetor në Bosnjë e Hercegovinë.
PRETENDIMET PËR SPIONAZH NË SLLOVENI TË LIDHURA ME “BLACK CUBE”
Nga ana tjetër, revista sllovene “Mladina” kishte pretenduar se përfaqësuesit e kompanisë “Black Cube” kishin vizituar tri herë kryeqytetin Lubjanë dhe ishin takuar me kryetarin e Partisë Demokratike Sllovene (SDS), Janez Janša, i cili mori detyrën e kryeministrit pas zgjedhjeve të mbajtura më 22 mars.
Revista pretendonte se “spiunët”, duke përdorur identitete të rreme, ishin prezantuar si përfaqësues të një kompanie të huaj investimesh dhe se kishin regjistruar takimet me disa politikanë sllovenë.
PRETENDIMET PËR SPIONAZH ISHIN MOHUAR
Pas këtyre pretendimeve, ish-kryeministri Robert Golob i kishte kërkuar Bashkimit Evropian të hetonte nëse kishte pasur ndërhyrje të huaja në zgjedhjet e përgjithshme.
Ndërkaq, Janša kishte mohuar pretendimet, duke deklaruar se nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë emrin “Black Cube”.
