Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, deklaroi se ndihma ushtarake amerikane për Izraelin nuk do të ndërpritet menjëherë, pavarësisht se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar përfundimin e saj deri në fund të vitit.
Huckabee e bëri këtë deklaratë për i24NEWS të dielën, gjatë hapjes së Konferencës së 35-të Ndërkombëtare të Kryetarëve të Komunave në Jerusalem, të organizuar nga Kongresi Hebraik Amerikan dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit.
“Me sa di unë, nuk do të ketë ndërprerje të menjëhershme”, tha Huckabee.
Sipas i24NEWS, për ndërprerjen e plotë të ndihmës nevojitet një vendim i Kongresit amerikan, ndërsa ka pak gjasa që një vendim i tillë të merret para fundit të vitit.
“Memorandumi i mirëkuptimit është në fuqi edhe për dy vjet, por ky është një vendim që do të merret larg Jerusalemit”, deklaroi ambasadori.
Huckabee përsëriti pretendimin e Trumpit se ideja për ndërprerjen graduale të ndihmës kishte ardhur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
“E gjithë ideja për ndërprerjen graduale të ndihmës ishte në fakt e kryeministrit”, tha ai, duke shtuar se Netanyahu kishte filluar të fliste për këtë çështje një vit e gjysmë më parë.
Më 3 nëntor, në ditën e zgjedhjeve për Kongresin amerikan, Trump deklaroi se SHBA-ja i jep Izraelit katër miliardë dollarë në vit, “por kjo do të përfundojë në fund të vitit”.
Sipas memorandumit aktual, SHBA-ja i ofron Izraelit 3,8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit, ndërsa marrëveshja është në fuqi deri në vitin 2028.
Huckabee foli gjithashtu për qeverinë e re izraelite, formimin e së cilës presidenti i Izraelit ia besoi të dielën Gadi Eisenkotit. Ai deklaroi se SHBA-ja do të bashkëpunojë me qeverinë që zgjedhin qytetarët e Izraelit.
