Sipas sondazhit, 49 për qind e të anketuarve thanë se Izraeli nuk ka arritur “fitore” kundër Iranit, por ka arritur “sukses të rëndësishëm
Një sondazh i zhvilluar në opinionin publik të Izraelit zbuloi se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve mendojnë se sulmet kundër Iranit nuk rezultuan në fitore, transmeton Anadolu.
Sipas anketës, të botuar në gazetën izraelite “Maariv” dhe të realizuar nga Instituti privat i Kërkimeve “Lazar”, 49 për qind e të anketuarve thanë se qeveria e Tel Avivit nuk ka arritur “fitore” kundër Iranit, por ka arritur “suksese të rëndësishme”.
Ndërsa 30 për qind e të anketuarve thanë se lufta është “fitore e qartë” për Izraelin, 16 për qind mbrojtën idenë se është arritur vetëm “sukses i pjesshëm”. Ndërkohë 5 për qind e të anketuarve nuk iu përgjigjën pyetjes.
– Konflikti që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit
Më 13 qershor, Izraeli kreu sulme në shkallë të gjerë duke shënjestruar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran, përfshirë edhe nivelin e lartë komandues të ushtrisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm iranian, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë u vranë në sulmet izraelite.
Ministria iraniane e shëndetësisë në deklaratën e fundit, njoftoi se numri i civilëve të vrarë është 606, ndërsa i të plagosurve 5.332. Zyra e kryeministrisë izraelite tha se 28 persona janë vrarë dhe 1.272 të tjerë janë plagosur në kundërsulmet e ushtrisë iraniane.
Më 22 qershor, SHBA-ja e cila ofron mbështetje të hapur për Izraelin, sulmoi 3 objektet bërthamore të Iranit në Natanz, Fordo dhe Isfahan.
Në përgjigje të sulmit të SHBA-së, Irani sulmoi bazën ajrore amerikane “Al-Udeid” në Katar më 23 qershor.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit më 24 qershor.