Gjykata Speciale: Ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Prokuroria mban në fuqi pretendimet se ish-presidenti Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për arratisje pasi ai është në dijeni për akuzat serioze të konfirmuara ndaj tij

Në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj tjerë ish-presidentit kosovar Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi në akuzat për krime lufte, transmeton Anadolu.

Vendimi është marrë më 11 qershor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Prokuroria mban në fuqi pretendimet se ish-presidenti Thaçi vazhdon të paraqesë rrezik për arratisje pasi ai është në dijeni për akuzat serioze të konfirmuara ndaj tij. Po ashtu, ata e mbështesin këtë argument me faktin çështja e Prokurorisë ka përfunduar dhe tashmë Thaçi ka njohuri të plotë edhe për provat që janë kundër tij.

Prokuroria ka pretenduar gjithashtu se së shpejti Thaçi do të ketë informacione të ndjeshme në lidhje me dëshmitarët dhe provat që do t’i paraqesë mbrojtja e viktimave.

Sipas Prokurorisë, fakti që Thaçi ka aktakuzë për pengim të procedurave, e rritë motivin e tij për t’u arratisur.

Veç kësaj, Prokuroria ka theksuar se përfundimi i çështjes së tyre e rrit rrezikun për pengim pasi që i akuzuari ka njohuri të plotë mbi çështjen dhe dëshmitarët mund t’i ekspozohen rreziqeve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar thekson gjithashtu se informacioni i ndjeshëm i është zbuluar mbrojtjes, përfshirë të akuzuarin, duke rritur rrezikun e ekspozimit ndaj publikut dhe duke dëmtuar mbrojtjen e dëshmitarëve në rast lirimi”, thuhet në vendim.

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve tash e një kohë kanë vlerësuar se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i kanë plotësuar kushtet ligjore për lirimin me kusht, duke thënë se Gjykata duhet të konsiderojë “alternativa më të buta”, por, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur për asnjë nga të katër të akuzuarit.

Sipas aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, pretendohet se ata kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por, vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Kategoritë
LajmeVendi