Pas sulmeve të ushtrisë izraelite gjatë natës së enjtes ndaj objektivave iraniane, gjenerali i lartë rus Apti Alaudinov deklaroi se Lufta e Tretë Botërore ka filluar tashmë dhe bëri thirrje për një mobilizim masiv në Rusi, raporton Daily Express.
Gjeneral majori Alaudinov (51), zëvendësshef i Drejtorisë Kryesore Ushtarako-Politike të Forcave të Armatosura Ruse dhe komandant i forcave speciale çeçene “Akhmat”, publikoi një mesazh në Telegram ku pretendon se lufta tashmë ka nisur.
“Duhet të shpallim mobilizim”, shkroi Alaudinov. “Duhet të përgatisim paraprakisht të paktën gjysmë milioni njerëz. Por në realitet, një milion. Duhet t’i thërrasim dhe t’i përgatisim për faktin se lufta ka filluar tashmë, dhe ne e dimë që kjo tashmë po ndodh – Lufta e Tretë Botërore. Thjesht ka hyrë në një fazë të re dhe ka marrë një hov të ri,” tha ai.
“Që askush të mos guxojë të luajë me ne…”
Tensionet janë përshkallëzuar më tej pasi Izraeli ka goditur objekte ushtarake iraniane të lidhura me programin bërthamor. “Që askush të mos guxojë të luajë me ne siç kanë luajtur me të gjitha vendet e tjera, e tani edhe me Iranin. Më besoni, të gjithë duhet të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi – në të gjitha nivelet,” theksoi Alaudinov.
Alaudinov është aktiv në përpjekjet e Rusisë për të rimarrë territorin në rajonin e Kurskut, i cili është pjesërisht nën kontrollin e forcave ukrainase që nga ofensiva e gushtit të vitit të kaluar. Ai gjithashtu shihet si pasardhës i mundshëm i liderit çeçen pro-rus Ramzan Kadirov.