Franca u distancua nga sulmi amerikan ndaj Iranit, Macron njoftoi një takim urgjent

Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajë sot një takim urgjent të kabinetit të sigurisë për të diskutuar mbi përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Presidenca franceze bëri të ditur se Macron ka biseduar për konfliktin me disa liderë arabë, përfshirë ata nga Arabia Saudite dhe Oman, dhe se gjatë ditës do të vazhdojë konsultimet me liderë evropianë dhe rajonalë.

“Franca distancohet nga sulmet amerikane dhe u bën thirrje të gjitha palëve për përmbajtje”, shkroi ministri i jashtëm francez Jean-Noel Barrot në një postim në platformën X.

Ai theksoi se “Franca me shqetësim ka marrë dijeni për sulmet e ndërmarra mbrëmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, duke shtuar se Parisi “nuk ka marrë pjesë në këto sulme dhe as në planifikimin e tyre”.

Barrot theksoi gjithashtu se “zgjidhja e qëndrueshme e kësaj çështjeje duhet të vijë përmes negociatave në kuadër të Traktatit për Mos përhapjen e Armëve Bërthamore”, përpjekje në të cilën Franca “mbetet e gatshme të kontribuojë”.

“Franca ka shprehur disa herë kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj mundësisë që Irani të zotërojë armë bërthamore”, shkroi diplomati i lartë francez.

Kategoritë
BotaLajme