Forcat iraniane të sigurisë arrestojnë dy agjentë të Mossadit – konfiskohen 200 kg eksploziv dhe dronë

Policia iraniane ka njoftuar se në operacione të ndara ka arrestuar dy operativë të Mossadit, tek të cilët është konfiskuar një sasi e konsiderueshme eksplozivi dhe pajisje të tjera të përdorura për akte sabotimi dhe diversioni në territorin iranian.

Zëdhënësi i Komandës së Policisë së Republikës Islamike të Iranit, Sa’eed Montazer al-Mahdi, tha se të dy agjentët janë identifikuar dhe arrestuar në Fashafuyeh, një zonë e qarkut Ray në provincën e Teheranit.

Sipas tij, gjatë bastisjes janë sekuestruar:

  • Mbi 200 kilogramë eksploziv,
  • Pajisje për 23 dronë,
  • Hedhës raketash,
  • Si dhe pajisje të tjera luftarake dhe teknologjike.

Gjithashtu, u sekuestrua një kamionet i cili ishte përdorur për transportimin e pajisjeve dhe dronëve, të cilët më vonë u përdorën për të goditur pozicione radarësh të ushtrisë iraniane.

Sipas autoriteteve, këto grupe të infiltruar brenda Iranit para fillimit të operacionit izraelit “Luani që ngrihet”, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale duke shkatërruar disa sisteme të paralajmërimit të hershëm – gjë që e ka lehtësuar depërtimin e avionëve izraelitë në hapësirën ajrore iraniane.

Këto arrestime janë pjesë e një fushate më të gjerë kundërzbulimi që po zhvillojnë agjencitë iraniane të sigurisë, për shkak të dyshimeve se brenda Teheranit vazhdojnë të operojnë qeliza të Mossadit dhe shërbimeve të tjera të huaja.

Po ashtu, të dielën në provincën Alborz, forcat iraniane të sigurisë arrestuan dy agjentë të tjerë të Mossadit, të cilët dyshohet se kishin marrë pjesë në planifikimin dhe zbatimin e sulmeve ndaj objekteve dhe pajisjeve të ushtrisë iraniane.

Kategoritë
BotaLajme