Eurodeputetët protestojnë aneksimin “de facto” të Bregut Perëndimor nga Izraeli

“Marrëveshjet e fundit në rajon të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin çuan në pezullimin e planeve për të aneksuar zyrtarisht territorin e Bregut Perëndimor”, thanë 442 ligjvënës që nënshkruan një letër të përbashkët.

Më shumë se 400 eurodeputetë u bënë thirrje ministrave të Jashtëm të vendeve të tyre për të ndaluar aneksimin “de facto” të Bregut Perëndimor nga ana e Izraelit dhe t’i japin fund “izolimit të Gazës”, në një letër të përbashkët, raporton Anadolu Agency (AA).

Parlamentarë nga 22 vende evropiane, përfshirë Social Demokratët, të Gjelbrit dhe anëtarët e Partisë Laburiste nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Suedia, iu drejtuan shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe ministrave të Jashtëm të vendeve të tjera evropiane, duke thënë që presidenca e Joe Biden-it në SHBA është një “mundësi për të adresuar konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës me përpjekje të reja”.

“Marrëveshjet e fundit në rajon të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin çuan në pezullimin e planeve për të aneksuar zyrtarisht territorin e Bregut Perëndimor”, thanë 442 ligjvënës që nënshkruan një letër të përbashkët.

Letra e përbashkët nënvizoi përparimin e shpejtë të “aneksimit de facto, veçanërisht përmes zgjerimit të përshpejtuar të vendbanimeve dhe shkatërrimit të strukturave palestineze”.

Në letër gjithashtu thuhet se numri rekord i shkatërrimit të shtëpive palestineze në katër vjet u raportua vitin e kaluar pavarësisht pandemisë.

“Kjo përfshiu shkatërrimin e gati një komuniteti të tërë në Khirbet Hamsa al-Foqa, që OKB e përshkroi si incidentin më të madh të zhvendosjes së detyruar në mbi katër vjet”, thanë deputetët.

Në letër, deputetët gjithashtu u bënë thirrje vendeve evropiane të punojnë me administratën e Biden-it dhe palët e tjera në rajon për të “parandaluar veprime të njëanshme duke minuar mundësinë e paqes, për të avancuar të drejtat dhe sigurinë e të gjithë njerëzve nën kontrollin efektiv të Izraelit dhe krijimin e kushteve që bëjnë të mundur një marrëveshje të negociuar në të ardhmen”.

“Mbështetja aktive evropiane për pajtimin dhe zgjedhjet palestineze në të gjithë territorin palestinez është jetike, si dhe bazë për t’i dhënë fund izolimit të Gazës”, shkruajnë eurodeputetët.

Kategoritë
BotaLajme