Dronët izraelitë që i interesonin edhe Serbisë, u rrëzuan nga Irani

Mbrojtja ajrore iraniane ka rrëzuar një dron izraelit të tipit Hermes 900 mbi rajonin e Isfahanit, konfirmuan zyrtarët në Teheran, të cilët publikuan edhe pamje të rrëzimit.

Bëhet fjalë për një nga dronët më të sofistikuar dhe më të kushtueshëm në arsenalin izraelit, me një çmim që varion nga 10 deri në 16 milionë dollarë. Hermes 900 mund të përdoret për misione luftarake, përfshirë lëshimin e raketave kundër tankeve, si dhe për operacione të ndryshme zbulimi dhe vëzhgimi.

Rrëzimi i këtij droni përbën një goditje simbolike dhe operacionale për operacionet ajrore të Izraelit në rajon, në kohën kur përplasjet mes Teheranit dhe Tel Avivit po intensifikohen.

Serbia dhe Hermes 900

Kujtojmë se edhe Serbia është përmendur si një ndër vendet e interesuara për blerjen e Hermes 900. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundmi ka njoftuar blerjen e sistemeve më moderne luftarake, përfshirë edhe dronë që ai i përshkroi si “më të mirët në botë”.

Megjithëse Vuçiq nuk përmendi prodhuesin, kompania izraelite Elbit Systems ka bërë të ditur kohët e fundit se ka nënshkruar një kontratë me një “shtet evropian të paidentifikuar” për shitjen e sistemit raketor PULS dhe dronëve Hermes 900, duke nxitur spekulimet se bëhet fjalë pikërisht për Serbinë. Koincidenca në kohë mes deklaratës së Vuçiqit dhe njoftimit të kompanisë ka forcuar më tej këto dyshime, sidomos në dritën e marrëdhënieve gjithnjë e më të ngushta ushtarako-politike midis Beogradit dhe Tel Avivit.

Bilanci dhe zhvillimet e fundit

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Iran, që nga fillimi i sulmeve izraelite kanë humbur jetën të paktën 224 persona, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur. Si përgjigje ndaj situatës emergjente, gjitha lejet për stafin mjekësor janë anuluar, dhe spitalet në të gjithë vendin po funksionojnë në kapacitet të plotë.

Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën, duke deklaruar se “Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore” dhe ka kërkuar evakuim masiv nga Teherani.

Këto deklarata janë interpretuar si pjesë e një lufte psikologjike dhe përhapje paniku, sidomos pasi pasuan largimin e papritur të Trump-it nga samiti G7 – një veprim që ka ngritur spekulime për një përfshirje të mundshme ushtarake të SHBA-së.

Zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar për pasojat e rënda të një veprimi të tillë. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e SHBA-së “do të fuste të gjithë rajonin në një konflikt më të gjerë”.

Sipas burimeve diplomatike, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio ka konfirmuar në biseda private se Uashingtoni nuk dëshiron një përfshirje më të thellë ushtarake.

Megjithë thirrjet ndërkombëtare për përmbajtje, Irani vazhdon kundërofensivën. Garda Revolucionare Islamike (IRGC) ka konfirmuar se është lëshuar një valë e re raketash drejt objektivave strategjike në territorin izraelit, dhe një komandant i lartë ushtarak ka paralajmëruar sulme shtesë me dronë, “derisa agresioni të ndalet dhe të sigurohet drejtësia për viktimat”.

Kategoritë
BotaLajme