Drejtoresha ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP), Cindy McCain, theksoi nevojën urgjente për ndihmë humanitare dhe armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
“Kjo është një tragjedi. Ajo që na nevojitet tani është një armëpushim i menjëhershëm, qasje e plotë dhe e papenguar, së bashku me rrugë të sigurta, që çdo portë të hapet, që të mund t’i ushqejmë njerëzit dhe të ndalojmë këtë katastrofë. Nëse nuk e bëjmë, do të jetë një katastrofë humanitare si asnjë tjetër,” deklaroi McCain të dielën.
Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) nisi këtë javë shpërndarjen e ndihmave pas një embargoje 11-javore. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi më 19 maj se Izraeli, në bashkëpunim me SHBA-të, po krijon një “sistem brenda qendrave të shpërndarjes” për të garantuar identifikimin dhe për të parandaluar që Hamasi të përfitojë nga ndihmat, shkruan ABC News.
Organizatat ndërkombëtare humanitare dhe Kombet e Bashkuara kanë kritikuar GHF për metodat e shpërndarjes. Pamje dhe video nga Gaza tregojnë radhë të gjata palestinezësh që presin ndihma. OKB paralajmëron se Gaza po i afrohet urisë masive.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 31 persona u vranë dhe 200 u plagosën kur Izraeli hapi zjarr ndaj një qendre shpërndarjeje ndihmash në Rafah. Në një deklaratë në platformën X, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë: “Në këtë fazë nuk ka të dhëna për viktima. Rasti është ende nën hetim.”
“Ata nuk kanë qasje të mjaftueshme. Nuk kanë ushqim të mjaftueshëm që të hyjë brenda,” deklaroi McCain. “Për të gjithë ne që punojmë në këtë fushë, e dimë se çfarë nevojitet dhe e kuptojmë kompleksitetin e situatës,” përfundoi ajo.