Drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së (NSI), Tulsi Gabbard, konfirmoi se Irani nuk po zhvillon armë bërthamore – Trump e mohon dhe kërkon përshkallëzim

Drejtoresha e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së, Tulsi Gabbard, në një dëshmi para Kongresit më herët këtë vit, nuk la vend për dyshim sa i përket programit bërthamor të Iranit.

Ajo theksoi se Irani nuk është duke zhvilluar armë bërthamore, dhe se lideri suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, nuk ka dhënë miratim për rinisjen e programit të ndërprerë.

Megjithatë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë një udhëtimi nga Kanadaja drejt Uashingtonit pas samitit të G7, hodhi poshtë këtë vlerësim dhe iu përkushtua përshkallëzimit të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Iranit, raportoi Washington Post.

“Nuk më intereson çfarë ka thënë ajo. Irani ishte shumë pranë të kishte një bombë bërthamore,” – deklaroi Trump para gazetarëve në avionin presidencial Air Force One.

Me këtë deklaratë, Trump përsëriti pohimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke e konsideruar Iranin me armë bërthamore si një kërcënim të menjëhershëm – në vend që të mbështetet në vlerësimin e vetë agjencisë amerikane të inteligjencës. Pritet që Trump të takohet me zyrtarë të sigurisë kombëtare për të planifikuar hapat e ardhshëm.

Sipas Washington Post, kundërshtimi i Trump ndaj vlerësimit të Gabbard pasqyron përplasjet e mëhershme të tij me udhëheqësit e shërbimeve të inteligjencës gjatë mandatit të tij të parë presidencial (2017–2021), të cilët ai i konsideronte si pjesë të “shtetit të thellë” që përpiqej të minonte agjendën e tij.

Në këtë kontekst, kujtohet që në vitin 2018 ai u rreshtua përkrah presidentit rus Vladimir Putin, kur u pyet nëse Rusia ishte përfshirë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Qëndrimi i fundit i Trump ndaj Iranit bie në sy veçanërisht sepse administrata e tij aktuale është e mbushur me figura lojaliste, dhe jo përfaqësues tradicionalë të strukturave të sigurisë.

Tulsi Gabbard është veterane ushtarake dhe ish-kongresmene demokrate nga Hawaii, e cila u konfirmua me vështirësi në Senatin e dominuar nga republikanët pro-Trump si drejtoreshë e NSI-së. Ajo ka pak përvojë në çështjet e inteligjencës apo në drejtimin e organizatave të mëdha. Gabbard u largua nga Partia Demokratike në vitin 2022 dhe deklaroi mbështetje për Trumpin.

Duhet theksuar se në raportin e inteligjencës të nëntorit, kur president ishte Joe Biden, ishte nënvizuar qartë se Irani nuk po zhvillon armë bërthamore, shkruan Washington Post.

Kategoritë
BotaLajme