Deputetja spanjolle “shpërthen” në Parlamentin Evropian: “Ursula bomb der Leyen ushqen përbindëshin SHBA dhe Izraelin”

Gjatë një seance plenare të Parlamentit Evropian, deputetja spanjolle Irene Montero kritikoi ashpër presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e quajtur me ironi “Ursula bomb der Leyen” për shkak të mbështetjes së saj ndaj sulmit izraelit ndaj Iranit.

Montero e cilësoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin si “kërcënimet më të mëdha për njerëzimin” dhe akuzoi shumë liderë të Bashkimit Evropian për “ushqimin e përbindëshit”, duke iu referuar mbështetjes së tyre ndaj këtyre vendeve në konfliktin e fundit.

Ajo kritikoi gjithashtu kancelarin gjerman Friedrich Merz për deklaratën e tij falënderuese ndaj Izraelit, ku tha se “kanë bërë punën e pistë për të gjithë ne”.
“Janë këto vlerat evropiane?” – pyeti Montero.

Pas sulmit të paprovokuar të Izraelit më 13 qershor ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit – i cili shkaktoi shkëmbime të rënda sulmesh dhe dhjetëra viktima – shumë liderë evropianë, përfshirë Francën dhe Ursula von der Leyen, shprehën mbështetje për të drejtën e Izraelit “për vetëmbrojtje”.

Montero denoncoi gjithashtu standardet e dyfishta të politikës ndërkombëtare, duke theksuar se Irani akuzohet për zhvillim të armëve bërthamore, ndërsa Izraeli tashmë i zotëron ato, dhe SHBA mbetet i vetmi shtet që “ka pasur guximin të hedhë bombën atomike”.

Deputetja spanjolle kundërshtoi gjithashtu propozimin e fundit të NATO-s për të rritur shpenzimet ushtarake në 5% të PBB-së së çdo shteti anëtar, duke vënë në pikëpyetje nëse kjo rritje do të siguronte realisht më shumë siguri në rajon.

“A na mbron më shumë shpenzimi për pensione dhe spitale?” – ishte pyetja që ajo ngriti para eurodeputetëve.

Në përmbyllje, Montero i bëri thirrje zëvendëspresidentit të Bashkimit Evropian të mos “përkulet më përpara presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu”, të cilët – sipas saj – “po e shtyjnë botën drejt Luftës së Tretë Botërore”.

Kategoritë
BotaLajme