Irani i ka bërë të qartë Omanit dhe Katarit se nuk do të angazhohet në negociata me Shtetet e Bashkuara përderisa qytetet iraniane “janë ende nën sulm” nga Izraeli dhe derisa të përfundojë reagimi i plotë i Teheranit, ka deklaruar një diplomat rajonal për CNN.
CNN raporton se “Diplomati mohoi raportimet mediatike sipas të cilave Irani ka kërkuar ndërmjetësim nga Oman dhe Katar për një armëpushim me Izraelin dhe rinisjen e bisedimeve për marrëveshjen bërthamore, duke i quajtur ato “të pasakta”.
Ministri i Jashtëm i Omanit, Badr bin Hamad Al Busaidi, tha gjatë fundjavës se raundi i gjashtë i bisedimeve mes Teheranit dhe Uashingtonit, i planifikuar për dje, është anuluar, megjithatë “diplomacia dhe dialogu mbeten e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Omanit raportoi sot se presidenti iranian Masoud Pezeshkian i ka thënë sot në një bisedë telefonike Sulltanit të Omanit, Haitham bin Tariq Al Said, se mbështet zgjidhjet diplomatike përmes dialogut dhe negociatave.
Ndërkohë, të shtunën, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se negociatat me SHBA-në janë të pajustifikueshme përderisa Izraeli vazhdon sulmet mbi qytetet iraniane.
/Reporteri.net/