Menjëherë pasi Donald Trump njoftoi pezullimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, çmimet e naftës pësuan rënie.
Sipas të dhënave zyrtare të bursave, çmimet e naftës ranë mbi 13%. Nafta e papërpunuar Brent ra me rreth 17 dollarë, ose 15%, duke arritur në nivelin më të ulët javor prej 96 dollarësh për fuçi.
Nafta amerikane West Texas Intermediate ra me 13 dollarë, ose rreth 13.5%, duke zbritur në nivelin më të ulët javor prej 85.28 dollarësh.
Përveç naftës, në rënie janë edhe çmimet e gazit.
Ndërkohë, kontratat futures në bursë u rritën ndjeshëm pasi presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA dhe Irani kanë zhvilluar bisedime produktive.
Futures i Dow Jones Industrial Average u rrit me 1,130 pikë, ose 2.5%. Futures i S&P 500 u rrit me 2.3%, ndërsa futures i Nasdaq-100 shtoi 2.2%. Para deklaratave të Trumpit, treguesit sinjalizonin humbje të mëtejshme për tregjet e kapitalit, të cilat ishin nën presion për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve të naftës dhe pasigurisë rreth përfundimit të konfliktit me Iranin.
Ndryshe, Trump në një postim në rrjetin social Truth Social deklaroi se kishte zhvilluar bisedime shumë të mira me Iranin.
“Në bazë të tonit dhe drejtimit të këtyre bisedimeve të thella, të detajuara dhe konstruktive, të cilat do të vazhdojnë gjatë javës, kam udhëzuar Ministrinë e Luftës që të shtyjë të gjitha goditjet ushtarake ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë prej pesë ditësh, me kusht që takimet aktuale të jenë të suksesshme”, tha ai.
Deklarata e Trumpit erdhi në një moment kur lufta me Iranin kishte hyrë në javën e pestë, ndërsa tensionet u përshkallëzuan gjatë fundjavës. Trump kishte kërcënuar me sulm ndaj centraleve iraniane nëse Ngushtica e Hormuzit — një rrugë kyçe për transportin e naftës dhe produkteve të tjera energjetike — nuk rihapet. Irani u përgjigj duke thënë se do të synojë infrastrukturën amerikane, përfshirë objektet energjetike dhe impiantet e desalinizimit në Gjirin Persik, nëse SHBA realizon kërcënimin e saj.












