Burimet iraniane: Uraniumi i pasuruar është zhvendosur nga Fordow para sulmeve të SHBA

Burime të larta iraniane thanë për agjencinë Reuters se shumica e uraniumit të pasuruar në impiantin bërthamor të Fordow është larguar para sulmit ajror amerikan, i cili kishte në shënjestër disa nga objektet kyçe të programit bërthamor të Iranit.

Sipas të njëjtave burime, numri i personelit në objektin nëntokësor të Fordow është reduktuar në minimum, dhe pak ditë para sulmit janë parë kamionë që mendohet se kanë transportuar urani jashtë zonës.

Fordow, së bashku me impiantin tjetër të rëndësishëm në Natanz, u raportua nga SHBA si objektivi kryesor i fushatës ajrore, me pretendime nga presidenti amerikan Donald Trump se këto objekte u shkatërruan plotësisht.

Megjithatë, nuk ka asnjë konfirmim të pavarur që mbështet këtë pretendim. Zyrtarët iranianë pretendojnë se dëmet janë vetëm sipërfaqësore, dhe se programi bërthamor nuk është shkatërruar.

IAEA: Nuk ka rrezatim të shtuar

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) ka konfirmuar se nuk ka asnjë rritje të niveleve të rrezatimit jashtë lokacioneve të goditura, duke sugjeruar se objektet nuk kanë pësuar dëmtime të thella që të çojnë në ndotje radioaktive.

Po të njëjtën gjë e pohojnë edhe autoritetet iraniane. Reza Kardan, zëvendësdrejtori i Organizatës për Energji Atomike të Iranit, deklaroi:

“Nuk është vërejtur asnjë gjurmë kontaminimi radioaktiv jashtë lokacioneve të sulmuara. Masat parandaluese kishin qenë të hartuara më herët dhe janë zbatuar me efikasitet.”

Kardan shtoi se qeveria kishte përgatitur plane për mbrojtjen e popullsisë në rast të një sulmi, dhe se deri tani asnjë rrezik për shëndetin publik nuk është evidentuar.

Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa SHBA dhe Izraeli pretendojnë suksese ushtarake, dhe Irani deklaron se ka shmangur dëmet strategjike, duke paralajmëruar se programi i tij nuk është ndalur.

Kategoritë
BotaLajme