Britania e Madhe do të shpenzojë të paktën 3 miliardë paund për armë me rreze të gjatë veprimi, strehim ushtarak dhe fabrika armësh, në përpjekje për të ringjallur industrinë e saj të mbrojtjes dhe për t’u përgatitur për një konflikt të mundshëm me Rusinë.
Londra do të ndërtojë gjashtë fabrika të reja municioni, do të rifillojë ndërtimin e anijeve për flotën detare dhe do të angazhohet në zhvillimin e mburojave të reja kundërraketore, si pjesë e një rishikimi të madh të mbrojtjes që do të publikohet të hënën.
Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, deklaroi se strategjia e re është konceptuar për të dërguar një “mesazh për Moskën”, ndërsa Rusia vazhdon luftën në Ukrainë.
“Kjo është Britania e Madhe që angazhohet jo vetëm për të forcuar forcat e saj të armatosura, por edhe për të forcuar bazën e saj industriale – si pjesë e gatishmërisë sonë për të luftuar për vendin tonë nëse është e nevojshme,” shtoi ai.
Ky rishikim i gjerë ushtarak vjen në një kohë kur po ushtrohet presion më i madh ndaj vendeve evropiane për të forcuar sektorët e tyre të mbrojtjes, ndërkohë që gjeneralë të lartë paralajmërojnë për një konflikt të mundshëm të përmasave të mëdha me Rusinë në fund të dekadës. Bashkimi Evropian në Bruksel ka njoftuar për një plan për të liruar deri në 800 miliardë euro për shpenzime të reja ushtarake.
Aleatët e NATO-s aktualisht po diskutojnë rritjen e angazhimeve të tyre për mbrojtjen në 5% të PBB-së, përpara samitit vjetor të aleancës, si përgjigje ndaj kritikave të përsëritura të ish-presidentit amerikan Donald Trump se vendet evropiane nuk kontribuojnë sa duhet financiarisht.
Të shtunën, Healey premtoi se Britania e Madhe do të alokojë 3% të prodhimit të saj ekonomik për mbrojtjen deri në vitin 2034 – çka mund të përkthehet në më shumë se 10 miliardë paund shpenzime shtesë çdo vit, sipas raportimit të Politico.
Në kuadër të strategjisë së re, qeveria laburiste e qendrës së majtë do të angazhohet për të shpenzuar 1.5 miliardë paund për përmirësime urgjente në strehimin ushtarak, për të blerë 7.000 njësi armësh të prodhimit britanik me rreze të gjatë dhe për të ndarë edhe 1.5 miliardë paund për “fabrika municionesh” që pritet të hapin 1.800 vende pune në mbarë vendin.
Gjithashtu pritet të propozohet edhe një program i mbikëqyrjes nënujore për të mbrojtur infrastrukturën kritike nga kërcënimet në nëndet, si dhe rikthimi i një forme të shërbimit vullnetar të mbrojtjes territoriale për të mbrojtur objekte si aeroportet nga dronët apo sulme të papritura.