Disa bombardues amerikanë të tipit B-2 janë kthyer në bazën ajrore Whiteman në Missouri pas përfundimit të misionit që përfshinte sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Të dielën, Pentagoni publikoi detaje mbi operacionin “Çekiçi i Mesnatës”, një mision masiv dhe kompleks që u zhvillua të shtunën, ku u goditën tri objekte kyçe të infrastrukturës bërthamore të Iranit. Operacioni është cilësuar si “sulmi më i madh operacional me B-2 në historinë e SHBA-së”.
Operacioni nisi në orën 00:01 të së shtunës me nisjen e bombarduesve të padukshëm B-2 nga baza ajrore Whiteman në Missouri.
Në kuadër të Operacionit “Çekiçi i Mesnatës” u përdorën mbi 125 avionë, përfshirë shtatë bombardues B-2, avionë luftarakë të gjeneratës së katërt dhe të pestë, dhjetëra avionë cisternë për furnizim me karburant në ajër, një nëndetëse me raketa të drejtuara si dhe një gamë e plotë avionësh të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit.