Biden do të bisedojë me Netanyahu-n pasi nisin evakuimet në Rafah

“Ne vazhdojmë të besojmë se një marrëveshje pengjesh është mënyra më e mirë për të ruajtur jetën e pengjeve dhe për të shmangur një ndërhyrje të Rafahut, ku më shumë se 1 milion njerëz janë strehuar”, thuhet në deklaratë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të bisedojë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, derisa qindra palestinezë po largohen nga qyteti Rafah në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili foli lidhur me këtë çështje në kushte anonimiteti, konfirmoi bisedën e ardhshme midis liderëve amerikan dhe izraelit, por nuk pranoi të komentojë mbi aksionin ushtarak të planifikuar të ushtrisë izraelite në Rafah, ku mbi 1.5 milionë palestinezë kanë kërkuar strehim.

“Ne ia kemi bërë të qarta qëndrimet tona qeverisë izraelite për një ndërhyrje të madhe tokësore të Rafahut dhe presidenti do të flasë me kryeministrin sot”, tha zëdhënësi në një deklaratë të dërguar përmes postës elektronike.

“Ne vazhdojmë të besojmë se një marrëveshje pengjesh është mënyra më e mirë për të ruajtur jetën e pengjeve dhe për të shmangur një ndërhyrje të Rafahut, ku më shumë se 1 milion njerëz janë strehuar. Këto bisedime janë duke vazhduar tani”, thuhet në deklaratë.

Më herët, ushtria izraelite lëshoi urdhra të menjëhershëm evakuimi për palestinezët në lagjet lindore të qytetit Rafah dhe u bëri thirrje që të zhvendosen në qytetin al-Mawasi në Gazën jugore.

Sipas Radios së Ushtrisë Izraelite, rreth 100 mijë civilë palestinezë vlerësohet se jetojnë në zonat që do të evakuohen.

Rafah është shtëpia e më shumë se 1.5 milionë palestinezëve të zhvendosur, të cilët janë strehuar nga lufta e nisur nga Izraeli pas sulmit ndërkufitar të Hamasit.

Mbi 200 mijë palestinezë jetonin në Rafah para luftës.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës në shenjë hakmarrje për një sulm ndërkufitar më 7 tetor nga Hamasi kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz. Që atëherë, të paktën 34.700 palestinezë janë vrarë në Gaza, shumica dërrmuese të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe 78 mijë të tjerë janë plagosur.

Pothuajse shtatë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosje të brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet” se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët atje.

Kategoritë
BotaLajme