Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar një tjetër valë reagimesh në opinionin publik pasi në rrjetin e tij social Truth Social publikoi një fotografi të ekranit me një mesazh që kishte marrë nga ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee.
Mesazhi, i cili më shumë ngjan me një predikim sesa me një komunikim diplomatik, përmban një sërë fjalish dramatike me ngjyrim fetar dhe përfundon me një thirrje pothuajse të hapur drejtuar Trumpit që të “bashkohet me luftën”.
Në këtë mesazh që ngre dilema serioze për kufijtë midis fesë, politikës dhe diplomacisë, Huckabee shkruan:
“Zoti President, Zoti ju kurseu në Butler, Pensilvani, për t’u bërë presidenti më i rëndësishëm në njëqind vitet e fundit – ndoshta në të gjithë historinë. Mbi supe tuaja janë vendime që nuk do të doja t’i merrte askush tjetër. Shumë ju drejtohen, por vetëm NJË zë ka rëndësi. Zëri i Tij. Unë jam shërbëtori juaj i emëruar në këtë vend dhe jam në shërbimin tuaj…”
Më tej, Huckabee i referohet vendimit të Trumanit nga viti 1945 dhe thekson se asnjë president nuk ka qenë në një pozitë të ngjashme, duke lënë të nënkuptohet se Trump ndodhet përballë një momenti historik që kërkon vendosmëri dhe udhëzim hyjnor.
Ajo që ka ngjallur më shumë reagime është pjesa përmbyllëse e mesazhit:
“Ju nuk e kërkuat këtë moment. Ky moment ju gjeti JU! Është nder për mua t’ju shërbej!”
Edhe pse Huckabee nuk bën thirrje të drejtpërdrejtë për luftë, toni dhe përmbajtja e mesazhit sugjerojnë një nxitje që Trump të përfshihet në mënyrë aktive në konfliktin ushtarak – konkretisht, të ndërhyjë në anën e Izraelit.
Publikimi i këtij mesazhi vjen në një moment tejet të ndjeshëm, kur situata në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet më tej, dhe zërat për një përfshirje të mundshme ushtarake amerikane po bëhen gjithnjë e më të shpeshtë.