Benjamin Netanyahu jo popullor mes amerikanëve, por shumica mbështetën sulmin ndaj Iranit

Portali amerikan Axios, në bashkëpunim me kompaninë The Tyson Group, ka zhvilluar një sondazh për të matur qëndrimin e qytetarëve amerikanë lidhur me sulmet e Shteteve të Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Anketa është ndarë sipas përkatësisë politike të pjesëmarrësve: republikanë, demokratë dhe votues të pavarur. Ndër republikanë, 72% mbështetën sulmin ndaj Iranit, ndërsa vetëm 20% e demokratëve dhe 32% e votuesve të pavarur u shprehën pro. Në total, 43% e të anketuarve mbështetën sulmet.

Kur u pyetën nëse mbështesin sulme vetëm ndaj impianteve bërthamore të Iranit, përkrahja u rrit: 82% e republikanëve, 33% e demokratëve dhe 44% e të pavarurve u shprehën pozitivisht, duke e çuar përkrahjen totale në 53%.

Megjithatë, 75% e të anketuarve besojnë se konflikti mes Izraelit dhe Iranit do të përshkallëzohet, pavarësisht armëpushimit, dhe 46% shprehin frikë nga një sulm terrorist në SHBA si pasojë e tensioneve me Iranin.

Në lidhje me luftën në Gazë, rezultoi se pak më shumë amerikanë janë kundër vazhdimit të luftës sesa ata që e mbështesin. Gjithashtu, 54% mendojnë se Izraeli ka shumë ndikim mbi politikën e jashtme të SHBA-së.

Sipas sondazhit, më shumë amerikanë mbështesin dërgimin e armëve në Ukrainë sesa në Izrael. Ndër figurat ndërkombëtare, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gëzon një mbështetje të konsiderueshme, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rezulton të jetë shumë jopopullor në mesin e të anketuarve.

Kategoritë
BotaLajme