BBC: Izraelitët besonin se janë të paprekshëm. Tani gjendja shpirtërore ka ndryshuar

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë kaluar gjithë paraditen duke pastruar rrënojat dhe duke hequr copëzat e mbetura të një ndërtese 20-katëshe në Petah Tikva, e cila u godit gjatë natës nga një raketë iraniane. Goditja shkaktoi një gropë të madhe në ndërtesë dhe la të paktën katër persona të vdekur, raporton BBC.

Dy nga viktimat ndodheshin në strehimore në momentin e sulmit. Sipas hetimeve paraprake, raketa goditi murin që ndante dy strehimore, të cilat nuk ishin të ndërtuara për të përballuar një goditje direkte. Viktima e tretë ndodhej në katin mbi strehimoren.

Banorët e tri ndërtesave të tjera në të njëjtin kompleks, që gjithashtu u dëmtuan rëndë, përpiqeshin të hynin në apartamentet e tyre për të marrë gjëra personale, pasi nuk e dinë kur do të mund të kthehen. Rreth 300 apartamente janë tashmë bosh dhe familjet që jetonin aty janë zhvendosur.

Ndryshimi i ndjenjës te izraelitët

Sulmi ndodhi rreth orës katër të mëngjesit dhe nuk është e qartë se cili ishte objektivi i tij. Bëhet fjalë për një zonë të banuar dhe aty afër nuk ka objekte që mund të konsiderohen si strategjike. Izraeli ka akuzuar Iranin se po godet qëllimisht civilët si pjesë e kundërpërgjigjes ndaj sulmeve masive izraelite.

Shumë izraelitë kanë ndryshuar ndjeshëm në ndjenjën e sigurisë. Shumë prej tyre kishin besim të plotë në sistemin e sofistikuar të mbrojtjes ajrore të vendit, por kjo bindje është tronditur që prej sulmit hakmarrës të Iranit. Autoritetet izraelite thonë se sistemi mbrojtës shumë-shtresor është ende i fortë, por jo i pagabueshëm.

Të hënën, Irani lëshoi raketa drejt disa qyteteve të mëdha izraelite, duke çuar numrin e të vdekurve në 11 persona në ditën e katërt të përshkallëzimit ushtarak mes dy vendeve.

Fotografitë e AFP nga Tel Avivi tregojnë ndërtesa të goditura ku zjarrfikësit kërkojnë të mbijetuar. Raketat e tjera goditën qytetet Petah Tikva dhe Bnei Brak, afër Tel Avivit, si dhe Haifën në veri të vendit, ku u panë re tymi të zi.

Më 13 qershor, Izraeli kreu një sulm të paprecedentë ndaj Iranit, duke goditur qindra objektiva ushtarake dhe bërthamore, me synimin për të ndalur Teheranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Sipas raportit zyrtar të publikuar dje, në këto sulme humbën jetën të paktën 224 persona dhe mbi 1000 të tjerë u plagosën në Iran.

Nga sulmet raketore iraniane ndaj Izraelit që nga e premtja, kanë humbur jetën 24 persona, sipas zyrës së kryeministrit izraelit. Vetëm të hënën vdiqën 11 persona, përfshirë tetë në Petah Tikva, Bnei Brak dhe Haifa.

Kategoritë
BotaLajme