Të gjitha bazat ushtarake të SHBA-së në Irak dhe rajon janë në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të frikës së një përgjigjeje të afërt iraniane pas bombardimeve të fundit amerikane ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit.
Shtetet e Bashkuara aktualisht mbajnë një prani ushtarake prej rreth 2.500 trupash në Irak, të shpërndarë në katër baza kryesore:
- Baza Ain al-Asad në provincën Anbar
- Baza Erbil në rajonin autonom të Kurdistanit irakian
- Qendra Diplomatike për Mbështetje në Bagdad, afër aeroportit ndërkombëtar
- Baza Union III, brenda Zonës së Gjelbër të Bagdadit
Baza Ain al-Asad është më e madhja dhe një nga objektivat më të sulmuara nga milicitë pro-iraniane. Në vitin 2020, 11 nga 16 raketat iraniane që u lëshuan pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani, goditën këtë bazë, duke plagosur dhjetëra ushtarë amerikanë.
Edhe baza Erbil, që ndodhet vetëm 60 kilometra nga kufiri me Iranin, ka qenë vazhdimisht në shënjestër të raketave iraniane.
Tërheqja graduale e SHBA-së nga Iraku
Historikisht, SHBA ka pasur mbi 100 baza dhe pika të përkohshme ushtarake në Irak. Ndër vite, shumë prej tyre janë mbyllur ose janë transferuar tek forcat irakiane, sidomos pas vitit 2011 dhe pjesërisht pas vitit 2017. Megjithatë, për shkak të trajnimit të forcave lokale dhe luftës kundër ISIS, SHBA ka ruajtur disa baza kyçe.
Qeveria irakiane ka nisur negociata për tërheqjen graduale dhe të plotë të trupave të mbetura amerikane.
Bazat e SHBA-së në pjesë të tjera të rajonit
Përtej Irakut, SHBA ka prezencë të konsiderueshme ushtarake në rajonet përreth:
- Baza Buehring dhe baza ajrore Ali al-Salem në Kuvajt
- Baza ajrore al-Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe
- Baza detare Manama në Bahrein – ku ndodhet selia e Flotës së 5-të të Marinës Amerikane me mbi 8.300 personel
- Baza ajrore al-Udeid në Katar – që strehon mbi 10.000 trupa dhe është qendra komandimi e Komandës Qendrore të SHBA (CENTCOM) në rajon
Pikërisht nga al-Udeid janë tërhequr kohët e fundit pjesë të mëdha të flotës ajrore amerikane si masë parandaluese për sulme të mundshme iraniane.
Gjithashtu, administrata Trump ka njoftuar reduktimin e bazave në Siri nga tetë në një të vetme, atë në Al-Tanf.
Në këtë kontekst tensioni të rritur, këto baza amerikane – veçanërisht ato në Irak dhe Katar – priten të jenë ndër objektivat e parë të çdo kundërsulmi iranian, siç është paralajmëruar nga zyrtarë të lartë në Teheran.