Futbollistët e Paris Saint-Germain janë fitues të Ligës së Kampionëve pasi mbrëmë, në finalen e zhvilluar në Mynih, mposhtën Interin e Milanos me rezultat 5:0. Fitorja e parë e titullit të kampionit të Evropës në historinë e klubit shkaktoi shumë skena emocionale.
Një nga ato skena i përkiste anëtarit të stafit teknik të PSG-së, Rafael Pol, i cili e priti vërshëllimën e fundit të gjyqtarit mes lotësh.
Në fakt, asistenti i trajnerit Luis Enrique kishte përjetuar një tragjedi në nëntor, kur kishte ndërruar jetë bashkëshortja e tij e dashur, Raquel.
Duket se në ato çaste kur tashmë ishte e qartë se PSG do të bëhej kampion i Evropës, Pol kujtoi gjithçka që kishte kaluar gjatë muajve të fundit dhe nuk mundi t’i fshehte emocionet që e pushtuan.
Përndryshe, Pol është një bashkëpunëtor besnik i Enrique-s dhe ka qenë pjesë e stafit të tij si trajner i përgatitjes fizike që nga koha në Romë, Celta, Barcelona dhe Kombëtarja e Spanjës.
Tre vite më parë ai u bë asistent trajner në Kombëtaren e Spanjës, dhe së bashku me Enrique-n erdhi në Francë në verën e vitit 2023. Tani po festojnë së bashku këtë sukses të madh.