Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me zhvillimet e fundit në Republikën Islamike të Iranit, veçanërisht për shkak të sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi objektet bërthamore iraniane.
“Mbretëria e Arabisë Saudite ndjek me shqetësim të madh ngjarjet në Republikën Islamike të Iranit, sidomos goditjet e drejtpërdrejta të objekteve bërthamore nga SHBA-të,” thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë saudite të Punëve të Jashtme.
Arabia Saudite theksoi nevojën për përmbajtje, ulje të tensioneve dhe parandalim të përshkallëzimit të mëtejshëm, duke u bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të intensifikojë përpjekjet diplomatike për të arritur një zgjidhje politike.
Në deklaratë rikujtohet gjithashtu qëndrimi i mëparshëm i Riadit i datës 13 qershor 2025, në të cilin dënonin shkeljen e sovranitetit të Iranit.
“Mbretëria nënvizon rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të qetësuar situatën, për të shmangur përshkallëzimin dhe për të hapur rrugën drejt një zgjidhjeje politike që do t’i jepte fund krizës dhe do të hapte një kapitull të ri në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon,” thuhet në përfundim të deklaratës.