Analiza e BBC-së: Aksioni ukrainas “Rrjeta e Merimangës” ishte një sukses spektakolar propagandistik dhe një mesazh për Trumpin

Ushtria ukrainase ka ndërmarrë operacionin “Rrjeta e Merimangës”, gjatë të cilit janë shkatërruar një numër i konsiderueshëm avionësh strategjikë rusë, ndërsa BBC britanik në analizën e saj shkruan se ky ka qenë një sukses i madh në disa mënyra.

“Është e vështirë të mbivlerësohet guximi apo gjeniu që është investuar në sulmin ukrainas ndaj forcave ajrore ruse në gjithë vendin. Nuk mund të konfirmojmë me siguri pretendimet ukrainase se dëmi ka arritur në vlerën e shtatë miliardë dollarëve, por është e qartë se ‘Operacioni Rrjeta e Merimangës’, të paktën, ishte një sukses spektakolar propagandistik,” shkruan BBC.

Në analizë përmenden edhe sukseset e tjera ushtarake ukrainase gjatë tre viteve të mbrojtjes nga agresioni rus, dhe thuhet se Ukraina tashmë e krahason këtë aksion me ato të mëparshmet.

“Sipas detajeve të zbuluara në media nga shërbimi informativ ushtarak ukrainas, SBU, operacioni më i fundit është deri tani arritja më e përpunuar. Thuhet se është përgatitur për 18 muaj, me dhjetëra dronë të vegjël që janë futur në Rusi, janë ruajtur në hapësira të posaçme në kamionë mallrash, janë transportuar në të paktën katër lokacione të ndryshme mijëra kilometra larg dhe janë lëshuar në distancë drejt bazave ajrore përreth,” shkruan BBC.

Ata citojnë analistë dhe blogerë ushtarakë ukrainas që kanë lavdëruar suksesin strategjik të këtij aksioni.

Blogeri ushtarak ukrainas Oleksandr Kovalenko thotë se edhe nëse bombarduesit dhe avionët e komandës dhe kontrollit nuk janë shkatërruar, ndikimi është i madh.

“Shkalla e dëmit është e tillë që kompleksi ushtarako-industrial rus, në gjendjen e tij aktuale, ndoshta nuk do të mund të rikuperojë këto humbje në të ardhmen e afërt,” shkroi ai në kanalin e tij Telegram.

Bombarduesit strategjikë me raketa, Tu-95, Tu-22 dhe Tu-160, sipas tij, nuk prodhohen më. Riparimet do të jenë të vështira, zëvendësimi – i pamundur.

Përveç dëmit fizik, që ndoshta nuk është aq i madh sa disa analistë e vlerësojnë, “Operacioni Rrjeta e Merimangës” dërgon një mesazh tjetër kyç, jo vetëm për Rusinë, por edhe për aleatët perëndimorë të Ukrainës, shkruhet më tej në analizën e BBC-së.

Ky medium britanik përkujton edhe deklaratat e një zyrtari ukrainas që së fundmi kishte shprehur frustrim sepse “amerikanët mendojnë se Ukraina tashmë e ka humbur luftën.”

Gazetari ushtarak ukrainas Illia Ponomarenko dha një mesazh të ngjashëm, me aludime të drejtpërdrejta për takimin e famshëm të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale me udhëheqësin amerikan Donald Trump.

“Kjo ndodh kur një komb krenar nën sulm nuk i dëgjon ata që thonë: ‘Ukraina ka edhe gjashtë muaj jetë’. ‘Ju nuk keni asnjë kartë në dorë’. ‘Thjesht dorëzohuni për paqe, Rusia nuk mund të humbasë’,” tha Ponomarenko.

Veçanërisht interesante është deklarata, sipas BBC-së, e revistës Business Ukraine. Ata në një postim që mund të interpretohet si mesazh për Trumpin dhe administratën amerikane, shkruan se “Zelensky luajti mbretin e dronëve”, duke iu referuar drejtpërdrejt deklaratës së Trumpit se “Ukraina nuk ka asnjë kartë në dorë.”

BBC rikujton se sulmi ndodhi përpara bisedimeve për paqe të caktuara për sot në Stamboll.

“Kjo, pra, është mesazhi që përfaqësuesit ukrainas marrin me vete në Stamboll për raundin e ri të negociatave për armëpushim me përfaqësuesit e Kremlinit: Ukraina është ende në luftë. Pavarësisht përparimit të ngadaltë, por të pandalshëm të Rusisë në fushëbetejat e Donbasit, Ukraina i dërgon një mesazh Rusisë dhe administratës Trump: mos i nënvlerësoni perspektivat e Kievit,” përfundon analiza e BBC-së për këtë operacion ukrainas.

Kategoritë
BotaLajme